Veprat e Apostujve 6:1-7
Veprat e Apostujve 6:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ato ditë, ndërsa po rritej numri i dishepujve, greqishtfolësit u ankuan ndaj hebraishtfolësve, se vejushat e tyre po liheshin pas dore gjatë shpërndarjes së përditshme të ushqimit. Atëherë të dymbëdhjetët thirrën të gjithë bashkësinë e dishepujve e thanë: «Nuk është e drejtë të lëmë mënjanë fjalën e Perëndisë e të shërbejmë në tryezë. Prandaj, vëllezër, zgjidhni ndërmjet jush shtatë veta me emër të mirë, të mbushur me Shpirt e me urti, që t'i ngarkojmë me këtë detyrë. Ne, nga ana jonë, do t'i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës». Këto fjalë i pëlqyen tërë bashkësisë dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim e i mbushur me Shpirtin e shenjtë, Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin e Nikollën nga Antiokia, që ishte kthyer në besimin e judenjve. Këta i sollën para apostujve, të cilët u lutën e vunë duart mbi ta. Kështu fjala e Perëndisë përhapej e numri i dishepujve në Jerusalem rritej shumë. Po ashtu edhe shumë priftërinj pranonin besimin.
Veprat e Apostujve 6:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por në ato ditë, duke u shumuar numri i dishepujve, lindi një murmuritje nga ana e helenistëve kundër hebrenjve, sepse vejushat e tyre po liheshin pas dore në shërbimin e përditshëm. Atëherë të dymbëdhjetët, pasi mblodhën numrin e madh të dishepujve, thanë: ''Nuk është mirë që ne të lëmë fjalën e Perëndisë për të shërbyer nëpër tryeza. Prandaj, vëllezër, kërkoni midis jush shtatë burra, me dëshmi të mirë, të mbushur me Frymën e Shenjtë dhe me urtësi, të cilëve do t'ua besojmë këtë detyrë. Kurse ne do të vazhdojmë t'i kushtohemi lutjes dhe shërbesës së fjalës''. Ky propozim u pëlqeu gjithë dishepujve. Dhe zgjodhën Stefanin, njeri plot besim dhe Frymë të Shenjtë, Filipin, Prohorin, Nikanorin, Timonin, Parmenin dhe Nikollën, një proselit nga Antiokia. I paraqitën pastaj përpara apostujve, të cilët, mbasi u lutën, vunë duart mbi ta. Ndërkaq fjala e Perëndisë po përhapej, dhe numri i dishepujve po shumohej fort në Jeruzalem, edhe një numër i madh priftërinjsh i bindej besimit.