Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 3:1-16

Veprat e Apostujve 3:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite. Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë të çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit që quhet «e Bukura», për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull. Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë. Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë e i thanë: «Na shiko!». Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre, por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!». Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet. Ai brofi më këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë. I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te «Dera e Bukur» e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit. Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit». Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu: «Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit? Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi. Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë. Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.

Veprat e Apostujve 3:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Por Pjetri dhe Gjoni po ngjiteshin bashkë për në tempull, rreth orës së nëntë, në orën e lutjes. Dhe aty ishte një njeri i çalë që prej lindjes, të cilin e sillnin çdo ditë dhe e linin afër derës së tempullit, e t'u quajtur "E bukura", për t'u kërkuar lëmoshë atyre që hynin në tempull. Ai, kur pa se Pjetri dhe Gjoni po hynin në tempull, u kërkoi lëmoshë. Atëherë Pjetri, me Gjonin, duke i ngulur sytë mbi të, i tha: ''Na shiko''. Dhe ai po i shikonte me kujdes, duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë prej tyre. Por Pjetri tha: ''Unë nuk kam as argjend, as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit nazarenas, çohu dhe ec!''. Dhe, si e kapi nga dora e djathtë, e ngriti në këmbë; dhe në atë çast iu forcuan këmbët dhe nyjat. Dhe me një të hovur u ngrit në këmbë dhe filloi të ecë; dhe hyri me ta në tempull, duke ecur, duke u hedhur dhe duke lavdëruar Perëndinë. Dhe gjithë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Perëndinë, dhe e njohën se ishte ai që rrinte ulur para derës së Bukur të tempullit për të kërkuar lëmoshë; dhe u mbushën me habi dhe çudi për atë që i kishte ndodhur atij. Atëherë, ndërsa i çali që ishte shëruar rrinte ngjitur pas Pjetrit dhe Gjonit, gjithë populli, i çuditur, rendi drejt tyre te portiku të quajtur i Salomonit. Dhe Pjetri, duke parë këtë gjë, i foli popullit duke thënë: ''Burra të Izraelit, pse po mrekulloheni për këtë? Ose pse po na i ngulni sytë sikur ne me fuqinë tonë të vetme ose me perëndishmëri të kishim bërë që ky njeri të ecë? Perëndia e Abrahamit, e Isakut dhe e Jakobit, Perëndia e etërve tanë e ka përlëvduar Birin e tij Jezusin, të cilin ju ia dorëzuat Pilatit dhe e mohuat përpara tij, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. Por ju e mohuat të Shenjtin, të Drejtin, dhe kërkuat që t'ju jepej një vrasës, dhe vratë princin e jetës, që Perëndia e ka ringjallur prej së vdekuri dhe për të cilin ne jemi dëshmitarë! Dhe me anë të besimit në emrin e tij, këtë njeriun, që shihni dhe njihni, e forcoi emri i Jezusit; dhe besimi, që është nëpërmjet tij, i dha këtë shëndet të plotë, në praninë e ju të gjithëve.