Veprat e Apostujve 25:13-19
Veprat e Apostujve 25:13-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasi kaluan disa ditë, mbreti Agripa e Bernika arritën në Cezare për të përshëndetur Festin. Meqë ata po rrinin aty disa ditë, Festi i paraqiti mbretit rastin e Palit e i tha: «Këtu është një njeri që e ka lënë Feliksi në burg. Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe pleqtë e judenjve më paraqitën paditë kundër tij e më kërkuan ta dënoj. Unë u thashë se nuk është zakon i romakëve ta dënojnë dikë, nëse i padituri nuk takohet me paditësit ballë për ballë dhe nëse nuk i jepet mundësia të mbrohet kundër padisë. Ata që kishin ngritur padinë erdhën këtu bashkë me mua dhe unë, pa humbur kohë, u ula të nesërmen në fronin e gjykatësit dhe urdhërova të ma sillnin atë njeri. Paditësit dolën para meje, por nuk ngritën kundër tij asnjë padi nga ato që prisja unë. Të dyja palët kundërshtonin njëra-tjetrën në lidhje me disa çështje të fesë së tyre dhe me njëfarë Jezui që ka vdekur, por që Pali thotë se është gjallë.
Veprat e Apostujve 25:13-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pas disa ditësh mbreti Agripa dhe Berenikja erdhën në Cezare për të përshëndetur Festin. Dhe, mbasi ata ndenjën disa ditë, Festi ia parashtroi çështjen e Palit mbretit, duke thënë: ''Feliksi ka lënë të burgosur njëfarë njeriu, kundër të cilit, kur isha në Jeruzalem, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e judenjve, kishin paraqitur akuza, duke kërkuar dënimin e tij. Unë u dhashë përgjigje se nuk është zakon i Romakëve të dorëzojnë dikë për vdekje para se i akuzuari të ballafaqohet me paditësit e tij, dhe t'i jetë dhënë mundësia që të mbrohet nga akuza. Prandaj, kur ata u mblodhën këtu, pa e shtyrë punën, u ula të nesërmen në gjykatë dhe urdhërova të ma sjellin këtë njeri. Kur u ngritën paditësit e tij, nuk paraqitën kundër tij asnjë akuzë për gjërat që unë dyshoja. Por kishin vetëm disa pika mospajtimi për fenë e tyre dhe për njëfarë Jezusi, që ka vdekur, dhe për të cilin Pali thoshte se është i gjallë.