Veprat e Apostujve 22:1-21
Veprat e Apostujve 22:1-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
«Vëllezër dhe etër, dëgjoni mbrojtjen time!». Kur dëgjuan se po u fliste hebraisht, u bë qetësi edhe më e madhe. Atëherë ai tha: «Unë jam jude. Kam lindur në Tars të Kilikisë dhe jam rritur këtu në Jerusalem. Kam pasur si mësues Gamalielin dhe jam edukuar pikë për pikë sipas ligjit të etërve tanë, me zell për Perëndinë, sikurse jeni të gjithë ju sot. Unë i kam përndjekur deri për vdekje ata që i përkasin Udhës së Zotit Jezu. Kam lidhur burra e gra dhe i kam futur në burg. Për mua mund të dëshmojnë kryeprifti e tërë pleqësia. Ata më dhanë edhe letra për vëllezërit judenj në Damask, që më ngarkonin për t'i lidhur ata që ishin atje e për t'i sjellë në Jerusalem që të ndëshkoheshin». «Kur isha rrugës për në Damask, teksa po i afrohesha qytetit, rreth mesditës, shndriti nga qielli një dritë e fortë rreth meje. Unë rashë përtokë dhe dëgjova një zë që më tha: “Saul, Saul, përse më përndjek?”. Unë u përgjigja: “Kush je ti, o Zot?”. Ai më tha: “Unë jam Jezui i Nazaretit që ti po e përndjek”. Ata që ishin me mua e panë dritën, por nuk e dëgjuan zërin e atij që po më fliste. Unë pyeta: “Zot, ç'duhet të bëj?”. Zoti më tha: “Ngrihu e shko në Damask. Atje do të të thonë gjithçka që të është caktuar të bësh”. Meqë nuk mund të shihja për shkak të shkëlqimit të asaj drite, ata që ishin me mua më morën për dore e më çuan në Damask. Një burrë me emrin Hananiah, njeri i përkushtuar ndaj ligjit e për të cilin judenjtë që jetonin aty flisnin mirë, erdhi tek unë, qëndroi përbri meje e tha: “Vëlla Saul, shih përsëri”. Në atë çast m'u hapën sytë dhe e pashë. Atëherë ai tha: “Perëndia i etërve tanë të ka zgjedhur që të njohësh vullnetin e tij, që të shohësh të Drejtin e të dëgjosh zërin e tij. Ti do të jesh dëshmitar i tij para të gjithë njerëzve, dëshmitar i asaj që ke parë e ke dëgjuar. Dhe tani ç'pret? Ngrihu, pagëzohu e pastrohu nga mëkatet duke thirrur emrin e Zotit”». «Pasi u ktheva në Jerusalem, ndërsa po lutesha në tempull, pata një vegim dhe pashë Jezuin që më tha: “Nxito e largohu shpejt nga Jerusalemi, se ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua”. Dhe unë thashë: “Zot, ata e dinë se në çdo sinagogë unë kam futur në burg dhe kam rrahur ata që besuan në ty. Edhe kur u derdh gjaku i dëshmorit tënd Stefanit, unë isha aty, e miratova vrasjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që po e vrisnin”. Atëherë Zoti më tha: “Shko, se do të të dërgoj larg, te kombet”».
Veprat e Apostujve 22:1-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
''Vëllezër dhe etër, dëgjoni çfarë ju them tani për mbrojtjen time''. Kur dëgjuan se u fliste atyre në gjuhën hebraike, heshtën edhe më shumë. Pastaj ai tha: ''Në të vërtetë unë jam një Jude, lindur në Tars të Kilikisë dhe rritur në këtë qytet te këmbët e Gamalielit, edukuar me përpikërinë e ligjit të etërve tanë, plot me zell për Perëndinë, sikurse jeni ju të gjithë sot; unë kam përndjekur këtë Udhë deri në vdekje, duke lidhur dhe duke futur në burg burra dhe gra, sikurse jep dëshmi për mua kryeprifti dhe gjithë sinedri i pleqve, prej të cilëve mora edhe letra për vëllezërit dhe shkova në Damask për të sjellë të lidhur në Jeruzalem ata që ishin atje, që të ndëshkoheshin. Dhe më ndodhi që, kur isha duke udhëtuar dhe po i afrohesha Damaskut, aty nga mesi i ditës, papritmas një dritë e madhe nga qielli vetëtiu rreth meje. Dhe unë rashë përdhe dhe dëgjova një zë që po më thoshte: "Saul, Saul, përse më përndjek?". Dhe unë u përgjigja: "Kush je ti, o Zot?" Edhe ai më tha: "Unë jam Jezus nazarenasi, të cilin ti e përndjek". Edhe ata që ishin me mua e panë dritën dhe u trembën, por nuk dëgjuan zërin e atij që më fliste. Unë thashë: "O Zot, ç'duhet të bëj?". Zoti më tha: "Çohu dhe shko në Damask! Atje do të të thuhet çfarë të është urdhëruar të bësh". Dhe, mbasi unë nuk shihja asgjë për shkak të shkëlqimit të asaj drite, më morën për dore ata që ishin me mua; dhe hyra në Damask. Dhe njëfarë Anania, njeri i perëndishëm sipas ligjit, për të cilin jepnin dëshmi të gjithë judenjtë që banonin aty, erdhi tek unë, dhe duke qëndruar pranë meje, tha: "O vëlla Saul, shiko përsëri!". Dhe në atë çast unë fitova përsëri dritën e syve dhe e shikova. Pastaj vazhdoi: "Perëndia i etërve tanë të ka paracaktuar të njohësh vullnetin e tij, ta shohësh të Drejtin dhe të dëgjosh një zë nga goja e tij. Sepse ti duhet të dëshmosh për të tek të gjithë njerëzit për ato që ke parë dhe ke dëgjuar. Dhe tani ç'pret? Çohu dhe ji i pagëzuar dhe i larë nga mëkatet e tua, duke thirrur emrin e Zotit". Dhe ndodhi që, kur u ktheva në Jeruzalem dhe isha duke u lutur në tempull, u rrëmbeva në ekstazë, dhe pashë Zotin që më thoshte: "Nxito dhe dil shpejt nga Jeruzalemi, sepse ata nuk do ta pranojnë dëshminë tënde për mua". Atëherë unë thashë: "O Zot, ata e dinë vetë se unë burgosja dhe rrihja nga një sinagogë te tjetra ata që besonin në ty; kur u derdh gjaku i Stefanit, dëshmorit tënd, edhe unë isha i pranishëm, e miratoja vdekjen e tij dhe ruaja rrobat e atyre që e vrisnin. Por ai më tha: "Shko, sepse unë do të të dërgoj larg midis johebrenjve"''.