Veprat e Apostujve 20:1-16
Veprat e Apostujve 20:1-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pasi mbaroi rrëmuja, Pali mblodhi dishepujt, u dha zemër, u përshëndet me ta dhe u nis për në Maqedoni. Ai kaloi nëpër ato krahina, u dha zemër me shumë fjalë e pastaj shkoi në Greqi. Atje qëndroi tre muaj. Kur po bëhej gati për të shkuar në Siri, judenjtë i ngritën një kurth, prandaj vendosi të kthehej duke kaluar nga Maqedonia. Me të ishin Sopatri, biri i Pirros nga Berea, Aristarku e Sekundi nga Selaniku, Gaji nga Derba, Timoteu si edhe Tikiku e Trofimi nga Azia. Ata shkuan përpara dhe na pritën në Troadë, ndërsa ne, pas ditëve të festës së Bukëve të ndorme, lundruam nga Filipia dhe për pesë ditë i arritëm në Troadë, ku ndenjëm shtatë ditë. Të dielën, ndërsa ishim mbledhur për thyerjen e bukës, Pali po u fliste atyre dhe, meqë do të nisej të nesërmen, e zgjati fjalën deri në mesnatë. Dhoma e sipërme ku ishim mbledhur, ishte shumë e ndriçuar. Ndërsa Pali vazhdonte të fliste, një djalosh me emrin Eutik, ishte ulur në dritare, ku e zuri një gjumë i thellë. Ai ra nga kati i tretë dhe e gjetën të vdekur. Atëherë Pali zbriti poshtë, u përkul mbi djaloshin, e mori në krahë e tha: «Mos u shqetësoni, se nuk ka vdekur». Pastaj u ngjit lart, theu bukën dhe hëngri prej saj. Dhe, pasi u foli deri në agim, u nis. Ata e çuan djaloshin shëndoshë e mirë në shtëpi dhe kjo i ngushëlloi shumë. Ne u nisëm më përpara për të hipur në anije dhe lundruam për në Asos, ku duhej të merrnim Palin, sepse ai vetë kishte vendosur që të shkonte atje më këmbë. Kur u takuam në Asos, e morëm Palin me vete dhe shkuam në Mitilenë. Të nesërmen, lundruam prej aty dhe arritëm përballë Kiosit. Ditën tjetër arritëm në Samos dhe të nesërmen mbërritëm në Milet. Pali kishte vendosur ta shmangnim Efesin gjatë lundrimit, që të mos humbiste kohë në Azi. Kishte shumë dëshirë që, po të ishte e mundur, të ishte në Jerusalem ditën e Rrëshajëve.
Veprat e Apostujve 20:1-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Si pushoi trazira, Pali i thirri dishepujt pranë vetes, i përqafoi dhe u nis për të vajtur në Maqedoni. Dhe si i përshkoi ato krahina dhe u dha shumë këshilla, shkoi në Greqi. Dhe mbasi kaloi atje tre muaj, duke qenë se judenjtë kishin kurdisur një komplot kundër tij kur përgatitej të lundronte për në Siri, vendosi të kthehet nga ana e Maqedonisë. Dhe deri në Azi e përcollën Sopatri nga Berea, Aristarku dhe Sekundi nga Thesaloniki, Gai nga Derba dhe Timoteu, dhe Tikiku e Trofimi nga Azia. Këta ishin nisur para nesh dhe na prisnin në Troas. Kurse ne u nisëm nga Filipi, pas ditëve të të Ndormëve, dhe për pesë ditë i arritëm në Troas, ku qëndruam shtatë ditë. Ditën e parë të javës, kur ishin mbledhur dishepujt për të thyer bukën, Pali, i cili duhet të nisej të nesërmen, bisedonte me ta dhe e zgjati fjalën deri në mesnatë. Dhe në sallën ku ishim mbledhur kishte shumë llamba. Një djalosh me emër Eutik, që ishte ulur në parvazin e dritares, e zuri një gjumë i rëndë; dhe, ndërsa Pali e çoi fjalën gjatë, e zuri gjumi, ra nga kati i tretë poshtë dhe e ngritën të vdekur. Por Pali, si zbriti, ra mbi të, e përqafoi dhe tha: ''Mos u shqetësoni, se shpirti i tij është në të''. Atëherë u ngjit përsëri lart, e theu bukën dhe hëngri; dhe, pasi foli gjatë deri në të gdhirë, u nis. Ndërkaq e prunë djalin të gjallë, dhe u ngushëlluan jo pak. Kurse ne, që kishim hipur tashmë në anije, lundruam për në Asos, ku kishim ndër mend të merrnim Palin, sepse kështu kishte caktuar, mbasi donte vetë të shkonte më këmbë. Kur na arriti në Asos, e morëm dhe arritëm në Mitilinë. Lundruam prej andej dhe të nesërmen arritëm përballë Hiosit; një ditë më pas arritëm në Samo dhe, pas një ndalese në Trogjili, arritëm të nesërmen në Milet. Sepse Pali kishte vendosur të lundronte pa u ndalur në Efes, që të mos humbiste kohë në Azi; sepse nxitonte që të ndodhej, po të ishte e mundur, në Jeruzalem ditën e Rrëshajëve.