Veprat e Apostujve 2:1-47
Veprat e Apostujve 2:1-47 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin mbledhur të gjithë në të njëjtin vend. Papritur u dëgjua një ushtimë nga qielli, si të frynte erë e fortë dhe mbushi tërë shtëpinë ku po rrinin. Atëherë ata panë disa gjuhë si prej zjarri, të ndara nga njëra-tjetra, e mbi secilin prej tyre zbriste nga një gjuhë zjarri. Atëherë të gjithë u mbushën me Shpirtin e shenjtë e filluan të flisnin gjuhë të tjera, sipas dhuntisë që u jepte Shpirti për të folur. Në Jerusalem banonin disa judenj, njerëz të përkushtuar ndaj Perëndisë, që vinin nga të gjitha kombet e botës. Kur dëgjuan ushtimën u mblodhën turmë e mbetën të habitur, sepse i dëgjonin apostujt duke folur në gjuhën e gjithsecilit. Të mahnitur e të habitur thoshin: «A nuk janë galileas të gjithë këta që po flasin? Si, pra, po i dëgjojmë të flasin në gjuhën amtare të secilit prej nesh? Ne të gjithë, partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit, të Azisë, të Frigjisë, të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë që i përkasin Kirenës, të ardhurit nga Roma, judenj e të kthyer në besimin e judenjve, kretas e arabë, po i dëgjojmë tek flasin në gjuhët tona amtare për veprat e mëdha të Perëndisë». Të gjithë ishin të mahnitur e të çuditur e i thoshin njëri-tjetrit: «Ç'do të thotë kjo gjë?». Por të tjerë talleshin e thoshin: «Këta janë të dehur me musht». Por Pjetri u ngrit bashkë me të njëmbëdhjetët dhe me zë të lartë u tha: «Burra judenj e të gjithë ju banorët e Jerusalemit, merreni vesh këtë gjë e dëgjojini me kujdes fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç pandehni ju, se është vetëm ora nëntë e mëngjesit, por kjo është ajo gjë për të cilën ka folur profeti Joel: Në ditët e fundit, thotë Perëndia, do të ndodhë kështu: unë do të dikoj Shpirtin tim te të gjithë njerëzit. Bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime e pleqve tuaj do t'u flas përmes ëndrrave. Edhe mbi shërbëtorët e shërbëtoret e mia do të dikoj Shpirtin tim në ato ditë e ata do të profetizojnë. Do të shfaq gjëra të jashtëzakonshme lart në qiell e shenja poshtë në tokë, gjak, zjarr e shtëllunga tymi. Dielli do të kthehet në errësirë e hëna në gjak para se të vijë dita madhështore dhe e lavdishme e Zotit. Atëherë, kushdo që të thërrasë emrin e Zotit do të shpëtohet. Burra izraelitë, dëgjojini këto fjalë: Jezui i Nazaretit ishte njeriu për të cilin Perëndia dha dëshmi para jush me anë veprash të fuqishme, mrekullish e shenjash që bëri mes jush nëpërmjet tij, siç e keni parë edhe vetë. Këtë njeri që ju është dorëzuar juve, sipas vullnetit të Perëndisë dhe shestimit që ai kishte vendosur më parë, ju vetë e vratë duke e kryqëzuar me duart e të mbrapshtëve. Por Perëndia e ngjalli atë, duke e çliruar nga dhimbjet e vdekjes, se nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante nën pushtetin e saj. Davidi thotë për të: Zotin e kisha gjithmonë para syve. Ai është në të djathtën time, që të mos lëkundem. Prandaj u gëzua zemra ime, gjuha ime u ngazëllua e trupi im do të prehet në shpresë, se ti nuk do ta braktisësh në skëterrë shpirtin tim, as nuk do të lejosh të Shenjtin tënd të shohë kalbjen. Ti më ke treguar udhët e jetës e do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde. Vëllezër, më duhet t'ju flas haptas për patriarkun David, i cili vdiq, u varros dhe varri i tij gjendet këtu deri më sot. Meqë ai ishte profet, e dinte se Perëndia i ishte betuar se do të vendoste mbi fronin e tij një pasardhës të vetin. Duke e parashikuar këtë gjë, ai tha për ngjalljen e Krishtit: ai nuk u braktis në skëterrë dhe trupi i tij nuk e pa kalbjen. Këtë Jezu, Perëndia e ngjalli dhe për këtë gjë ne të gjithë jemi dëshmitarë. Ai është lartësuar në të djathtën e Perëndisë, ka marrë nga Ati Shpirtin e shenjtë, që Perëndia na kishte premtuar dhe na e ka dhuruar ne, siç po e shihni e po e dëgjoni. Megjithëse Davidi nuk është ngjitur në qiell, ai thotë: I tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time derisa të t'i vë armiqtë e tu si shtrojë të këmbëve të tua. Le ta dijë, pra, me siguri e tërë shtëpia e Izraelit, se atë Jezu që ju e kryqëzuat, Perëndia e bëri Zot e Krisht». Atyre që i dëgjuan këto, iu trondit zemra e u thanë Pjetrit e apostujve të tjerë: «Ç'duhet të bëjmë, o vëllezër?». Pjetri u tha: «Pendohuni e pagëzohuni secili në emrin e Jezu Krishtit, që t'ju falen mëkatet. Kështu do të merrni dhuratën e Shpirtit të shenjtë. Se premtimi është për ju, për bijtë tuaj e për të gjithë ata që janë larg, për këdo që Zoti, Perëndia ynë, e thërret te vetja». Pjetri dëshmoi edhe me shumë fjalë të tjera dhe i porositi: «Shpëtoni veten nga kjo brezni e mbrapshtë». Ata që e pranuan fjalën e tij, u pagëzuan dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. Ata i ishin përkushtuar mësimit të apostujve, bashkësisë me njëri-tjetrin, thyerjes së bukës e lutjeve. Të gjithë i zuri frika, sepse apostujt bënin shumë mrekulli e shenja. Të gjithë besimtarët ishin të bashkuar dhe kishin gjithçka të përbashkët. Ata shisnin pasuritë dhe pronat e ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës që kishte secili. Çdo ditë, pasi rrinin bashkë në tempull, thyenin bukën në shtëpi dhe hanin ushqim me zemër të gëzuar e të çiltër. Ata lavdëronin Perëndinë dhe populli i kishte për zemër. Zoti u shtonte atyre çdo ditë ata që shpëtoheshin.
Veprat e Apostujve 2:1-47 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur erdhi dita e Rrëshajëve, ata ishin të gjithë bashkë, në një mendje të vetme, në të njëjtin vend. Dhe befas nga qielli erdhi një ushtimë, si ajo e një ere që fryn furishëm, dhe e mbushi gjithë shtëpinë ku ata po rrinin. Dhe atyre u dukën gjuhë, si prej zjarri, të cilat ndaheshin dhe zinin vend mbi secilin prej tyre. Kështu të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe filluan të flasin në gjuhë të tjera, ashtu si Fryma e Shenjtë ua jepte të shpreheshin. Por në Jeruzalem banonin disa judenj, njerëz të perëndishëm, nga të gjitha kombet nën qiell. Kur u dëgjua ajo ushtimë, turma u mblodh dhe u hutua, sepse secili nga ata i dëgjonte të flisnin në gjuhën e vet. Dhe të gjithë habiteshin dhe mrekulloheshin dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ja, a nuk janë të gjithë galileas këta që flasin? Si vallë secili nga ne i dëgjon të flasin në gjuhën e vet amtare? Ne partët, medët, elamitët dhe banorët e Mesopotamisë, të Judesë dhe të Kapadokisë, të Pontit dhe të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit dhe të pjesëve të Libisë përballë Kirenës, dhe ne të ardhur nga Roma, judenj dhe proselitë, kretas dhe arabë, i dëgjojmë të flasin për gjërat e mëdha të Perëndisë në gjuhët tona!''. Dhe të gjithë habiteshin dhe ishin hutuar dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Ç'do të thotë kjo?''. Kurse të tjerë i përqeshnin dhe thoshin: ''Janë plot me verë të ëmbël!''. Por Pjetri u çua në këmbë bashkë me të njëmbëdhjetët dhe u foli atyre me zë të lartë: ''Judenj dhe ju të gjithë që banoni në Jeruzalem, merrni njoftim për këtë dhe dëgjoni me vëmendje fjalët e mia. Këta nuk janë të dehur, siç po mendoni ju, sepse është vetëm ora e tretë e ditës. Por kjo është ajo që ishte thënë nëpërmjet profetit Joel: "Dhe në ditët e fundit do të ndodhë, thotë Perëndia, që unë do të përhap nga Fryma ime mbi çdo mish; dhe bijtë tuaj e bijat tuaja do të profetizojnë, të rinjtë tuaj do të shohin vegime dhe të moshuarit tuaj do të shohin ëndrra. Në ato ditë do të përhap nga Fryma im mbi shërbëtorët e mi dhe mbi shërbëtoret e mia, dhe do të profetizojnë. Dhe do të bëj mrekulli lart në qiell dhe shenja poshtë mbi tokë: gjak, zjarr e avull tymi. Dielli do të kthehet në errësirë dhe hëna në gjak, para se të vijë dita e madhe dhe e lavdishme e Zotit. Dhe do të ndodhë që kush ta ketë thirrur emrin e Zotit, do të shpëtohet". Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini, ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë. Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë. Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem. Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë. Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen. Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde". Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme. Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t'u ulur mbi fronin e tij; dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen. Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë! Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni. Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa unë t'i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!". Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht''. Kur ata i dëgjuan këto gjëra, u pikëlluan në zemër dhe pyetën Pjetrin dhe apostujt: ''Vëllezër, ç'duhet të bëjmë?''. Atëherë Pjetri u tha atyre: ''Pendohuni dhe secili nga ju le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit për faljen e mëkateve, dhe ju do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë. Sepse premtimi është për ju dhe për bijtë tuaj dhe për gjithë ata që janë larg, për ata që Zoti, Perëndia ynë, do t'i thërrasë''. Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: ''Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!''. Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar.