Veprat e Apostujve 13:42-52
Veprat e Apostujve 13:42-52 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Pali e Barnaba po dilnin, populli iu lut që t'u flisnin përsëri për këto gjëra të shtunën tjetër. Kur u shpërndanë prej sinagogës, shumë nga judenjtë dhe nga ata që ishin kthyer në besimin e judenjve shkuan pas Palit e Barnabës, të cilët u folën e i porositën që të vazhdonin të qëndronin të fortë në hirin e Perëndisë. Të shtunën tjetër u mblodh gati tërë qyteti për të dëgjuar fjalën e Zotit. Por kur judenjtë i panë turmat, u mbushën me smirë dhe duke thënë fjalë fyese, kundërshtonin ato që thoshte Pali. Atëherë Pali e Barnaba folën me guxim: «Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej juve më parë. Meqë ju po e hidhni poshtë atë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e amshuar, tani ne do t'u drejtohemi kombeve. Në të vërtetë Zoti na ka urdhëruar kështu: të kam caktuar të jesh dritë për kombet, që të çosh shpëtimin deri në skajet e dheut». Kur e dëgjuan këtë, kombet u gëzuan dhe përlëvduan fjalën e Zotit. Ata që ishin caktuar për jetën e amshuar, besuan në Jezuin. Kështu fjala e Zotit përhapej në mbarë atë krahinë. Por judenjtë nxitën gratë e shoqërisë së lartë, që ishin të përkushtuara ndaj Perëndisë, si dhe parinë e qytetit, dhe kurdisën një përndjekje kundër Palit e Barnabës e i dëbuan nga krahina e tyre. Atëherë ata shkundën pluhurin nga këmbët si shenjë kundër tyre dhe shkuan në Ikon. Dishepujt ishin të mbushur plot me gëzim e me Shpirtin e shenjtë.
Veprat e Apostujve 13:42-52 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe kur judenjtë dolën nga sinagoga, johebrenjtë u lutën që të shtunën e ardhshme t'u flisnin përsëri për këto gjëra. Dhe, mbasi u shpërnda mbledhja, shumë nga judenjtë dhe nga proselitët e perëndishëm i ndiqnin Palin dhe Barnaban, të cilët, duke u folur atyre, i bindën të ngulmojnë në hir të Perëndisë. Të shtunën tjetër gati gjithë qyteti u mblodh për të dëgjuar fjalën e Perëndisë. Por judenjtë, duke parë turmën, u mbushën me smirë dhe u kundërviheshin thënieve të Palit, duke kundërshtuar dhe duke blasfemuar. Atëherë Pali dhe Barnaba, duke folur lirisht, thanë: ''Ishte e nevojshme që fjala e Perëndisë t'ju shpallej ju më së pari; por, ngaqë ju e hidhni poshtë dhe nuk e çmoni veten të denjë për jetën e përjetshme, ja, ne po u drejtohemi johebrenjve. Sepse kështu na ka urdhëruar Zoti: "Unë të vura si dritë të johebrenjve, që ti ta çosh shpëtimin deri në skajin e dheut"''. Johebrenjtë, kur dëgjuan, u gëzuan dhe lëvdonin fjalën e Zotit; dhe të gjithë sa ishin të paracaktuar për jetën e pasosur besuan. Dhe fjala e Zotit përhapej në mbarë atë vend. Por judenjtë i nxitën disa gra të perëndishme të shtresës së lartë, si dhe parinë e qytetit, dhe ngjallën një përndjekje kundër Palit dhe Barnabas dhe i dëbuan jashtë kufijve të tyre. Atëherë ata, mbasi shkundën pluhurin e këmbëve të tyre kundër tyre, shkuan në Ikon. Dhe dishepujt ishin mbushur me gëzim dhe me Frymën e Shenjtë.