Veprat e Apostujve 13:1-12
Veprat e Apostujve 13:1-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në kishën e Antiokisë kishte profetë e mësues: Barnaba, Simeoni, që quhej Niger, Luci nga Kirena, Manaeni, shok fëmijërie i Herod Tetrarkut dhe Sauli. Ndërsa po adhuronin Zotin e po agjëronin, Shpirti i shenjtë tha: «M'i ndani mënjanë Barnabën e Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur». Pastaj, pasi agjëruan e u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën. Barnaba e Sauli, të dërguar nga Shpirti i shenjtë, shkuan në Seleuki dhe prej aty lundruan për në Qipro. Kur arritën në Salaminë, e shpallën fjalën e Perëndisë nëpër sinagogat e judenjve. Kishin edhe Gjonin që i ndihmonte. Pasi përshkuan tërë ishullin deri në Pafo, takuan njëfarë magjistari, një profet të rremë jude, me emrin Barjezu. Ai ishte mik i prokonsull Sergj Palit, një njeri i mençur, që i thirri Barnabën e Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë. Por magjistari Elima, se kështu përkthehet emri i tij, iu kundërvu atyre e u mundua ta largonte prokonsullin nga besimi. Por Sauli, që quhej edhe Pal, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ia nguli sytë e i tha: «Ti bir i djallit, armik i çdo drejtësie, plot me mashtrim e dinakëri, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i udhëve të drejta të Zotit? Por ja, dora e Zotit është kundër teje. Do të verbohesh e nuk do ta shohësh diellin për njëfarë kohe». Atë e rrethuan menjëherë mjegulla e errësira dhe filloi të sillej rreth e përqark duke kërkuar dikë që ta mbante për dore. Kur prokonsulli pa se çfarë kishte ndodhur, besoi dhe mbeti i habitur me mësimin e Zotit.
Veprat e Apostujve 13:1-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por në kishën e Antiokisë ishin profetë dhe mësues: Barnaba, Simeoni, i quajtur Niger, Luci nga Kirenea, Manaeni, që ishte rritur bashkë me Herodin tetrark, dhe Sauli. Dhe, ndërsa po kryenin shërbesën e Zotit dhe po agjëronin, Fryma e Shenjtë tha: ''M'i ndani veç Barnaban dhe Saulin për veprën për të cilën i kam thirrur''. Atëherë, pasi agjëruan dhe u lutën, vunë duart mbi ta dhe i nisën. Ata, pra, të dërguar nga Fryma e Shenjtë, zbritën në Seleuki dhe që andej lundruan për në Qipro. Kur arritën në Salaminë, shpallën fjalën e Perëndisë në sinagogat e judenjve; dhe ata kishin me vete edhe Gjonin si ndihmës. Pastaj, mbasi e përshkuan ishullin deri në Pafo, gjetën aty një magjistar, një profet të rremë jude, me emër Bar-Jezus, i cili ishte me prokonsullin Sergj Pal, njeri i zgjuar. Ky thirri pranë vetes Barnaban dhe Saulin dhe kërkoi të dëgjonte fjalën e Perëndisë, por Elimasi, magjistari (ky në fakt është kuptimi i emrit të tij) u kundërshtoi atyre, duke kërkuar ta largojë prokonsullin nga besimi. Atëherë Sauli, i quajtur edhe Pal, i mbushur me Frymën e Shenjtë, i nguli sytë mbi të dhe tha: ''O njeri plot me çdo mashtrim dhe çdo farë ligësie, bir i djallit, armik i çdo drejtësie, a nuk do të heqësh dorë nga shtrembërimi i rrugëve të drejta të Zotit? Tani, pra, ja, dora e Zotit është mbi ty, dhe do të verbohesh dhe nuk do ta shohësh më diellin për një farë kohe''. Menjëherë mbi të ra mjegull dhe terr: dhe ai shkonte rreth e qark duke kërkuar ndonjë që ta mbante për dore. Atëherë prokonsulli, kur pa çfarë kishte ndodhur, besoi, i mrekulluar nga doktrina e Zotit.