Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 11:1-18

Veprat e Apostujve 11:1-18 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude dëgjuan se edhe kombet e kishin pranuar fjalën e Perëndisë. Kur Pjetri shkoi në Jerusalem, besimtarët e rrethprerë e sulmuan me fjalë e i thanë: «Ti hyre në shtëpinë e njerëzve të parrethprerë e hëngre me ta». Atëherë Pjetri u tregoi hollësisht çfarë i kishte ndodhur: «Isha në qytetin e Jopës e po lutesha kur, i rrëmbyer nga Shpirti i shenjtë, pashë një vegim. Diçka si një pëlhurë e madhe po zbriste dhe, e mbajtur në të katër cepat, ulej nga qielli deri tek unë. Kur e vështrova nga afër, vura re e pashë katërkëmbësha të tokës, egërsira, rrëshqanorë e shpendë të qiellit. Atëherë dëgjova një zë që më tha: “Ngrihu, Pjetër. Ther e ha”. Por unë thashë: “Kurrsesi, o Zot, se nuk kanë hyrë asnjëherë në gojën time gjëra të papastra e të ndyra”. Pastaj zëri nga qielli më tha për të dytën herë: “Mos e quaj të papastër atë që ka pastruar Perëndia!”. Kjo gjë u përsërit tri herë, pastaj të gjitha u ngritën përsëri në qiell. Menjëherë tre burra, që i kishin dërguar tek unë nga Cezareja, erdhën te shtëpia ku po rrinim ne. Shpirti më tha të shkoja me ta pa ngurruar. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër dhe hymë në shtëpinë e atij njeriu. Ai na tha se kishte parë një engjëll që i ishte shfaqur në shtëpinë e tij dhe i kishte thënë: “Dërgo njerëz në Jopë të marrin Simonin që e thërrasin Pjetër. Ai do të të thotë fjalët me të cilat ti e shtëpia jote do të shpëtohen”. Kur fillova të flisja, Shpirti i shenjtë zbriti mbi ta sikurse kishte zbritur mbi ne në fillim. Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit, që tha: “Gjoni pagëzon me ujë, ndërsa ju do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë”. Nëse Perëndia u dha kombeve të njëjtën dhuratë që na ka dhënë neve kur besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të pengoja Perëndinë?». Kur dëgjuan këto gjëra, ata u qetësuan dhe e përlëvduan Perëndisë duke thënë: «Atëherë Perëndia ua ka dhënë edhe kombeve pendimin që udhëheq drejt jetës».

Veprat e Apostujve 11:1-18 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude morën vesh se edhe johebrenjtë kishin pranuar fjalën e Perëndisë. Dhe, kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë haheshin me të, duke thënë: ''Ti hyre në shtëpi të njerëzve të parrethprerë dhe hëngre me ta!''. Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, u shpjegoi atyre me radhë ngjarjet duke thënë: ''Unë po lutesha në qytetin e Jopës, kur u rrëmbeva në ekstazë dhe pashë një vegim: një send, që i ngjante një çarçafi të madh të kapur në të katër cepat, po zbriste si të ulej poshtë prej qiellit dhe arriti deri tek unë. Duke shikuar me vëmendje brenda, dallova dhe pashë katërkëmbësha, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë të qiellit. Dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Pjetër, çohu, ther dhe ha!". Por unë thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse nuk më ka hyrë kurrë në gojë asgjë e papastër ose e ndotur". Por zëri m'u përgjigj për të dytën herë nga qielli: "Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra!". Dhe kjo ndodhi tri herë; pastaj gjithçka u tërhoq përsëri në qiell. Në po atë moment tre njerëz, që i pata dërguar në Cezare, u paraqitën në shtëpinë ku ndodhesha unë. Dhe Fryma më tha të shkoj me ta, pa pasur kurrfarë ngurrimi. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe kështu hymë në shtëpinë e atij njeriu. Ai na tregoi se si kishte parë një engjëll që u paraqit në shtëpinë e tij dhe i tha: "Dërgo njerëz në Jopë dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër. Ai do të të thotë fjalët, me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote". Sapo kisha filluar të flas, kur Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta, sikurse kishte zbritur në fillim mbi ne. Atëherë m'u kujtua fjala e Zotit që thoshte: "Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë". Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre të njëjtën dhuratë që kemi marrë ne, që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t'i kundërvihesha Perëndisë?''. Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: ''Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t'u dhënë jetën!''.