Veprat e Apostujve 1:3-12
Veprat e Apostujve 1:3-12 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jezui, pas vuajtjeve dhe vdekjes, iu paraqit atyre i gjallë për dyzet ditë me shumë prova bindëse dhe u foli për mbretërinë e Perëndisë. Kur po hante me ta, i urdhëroi: «Mos u largoni nga Jerusalemi, por prisni aty premtimin e Atit që keni dëgjuar nga unë. Gjoni pagëzoi me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin e shenjtë». Ata që ishin mbledhur rreth Jezuit e pyetën: «Zot, a është kjo koha kur ti do të rivendosësh mbretërinë e Izraelit?». Ai iu përgjigj: «Nuk ju takon juve të dini as kohën, as orën që ka caktuar Ati në pushtetin e vet, por kur të zbresë mbi ju Shpirti i shenjtë do të merrni fuqi e do të jeni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari e deri në skajet e dheut». Pasi tha këto gjëra, Jezui u ngrit lart në qiell, ndërsa ata po e shihnin dhe një re e mori lart e ata nuk e panë më. Ndërsa vazhdonin të shikonin drejt qiellit, andej nga ishte larguar Jezui, dy burra të veshur me të bardha qëndruan pranë tyre e u thanë: «Burra galileas, pse rrini e shikoni drejt qiellit? Ky Jezu, që u largua prej jush e u ngrit në qiell, do të kthehet ashtu si e keni parë të shkojë në qiell». Pastaj apostujt u kthyen në Jerusalem nga mali që quhet i Ullinjve që është afër Jerusalemit rreth një kilometër.
Veprat e Apostujve 1:3-12 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Atyre, pasi pati vuajtur, iu paraqit i ngjallur me shumë prova bindëse, duke u parë prej tyre për dyzet ditë dhe duke folur për gjërat e mbretërisë së Perëndisë. Dhe, duke u gjendur bashkë me ta, i urdhëroi ata që të mos largoheshin nga Jeruzalemi, por të prisnin premtimin e Atit: ''Që, tha ai, e keni dëgjuar nga unë, sepse Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë, mbas jo shumë ditësh''. Kështu ata që ishin mbledhur bashkë e pyetën, duke thënë: ''Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?''. Por ai u tha atyre: ''Nuk ju takon juve të dini kohët dhe momentet e përshtatshme, që ka përcaktuar Ati me autoritetin e vet. Ju do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të bëheni dëshmitarët e mi në Jeruzalem dhe në gjithë Judenë, në Samari dhe deri në skajin e dheut''. Mbasi i tha këto gjëra, ndërsa ata po e vështronin, u ngrit lart; dhe një re e përfshiu dhe ua hoqi prej syve të tyre. Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulitur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha iu paraqitën atyre, dhe thanë: ''Burra galileas, pse qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u është marrë në qiell nga mesi juaj, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë të shkojë në qiell''. Atëherë ata u kthyen në Jeruzalem, nga mali që quhet i Ullinjve, që është afër Jeruzalemit sa një ecje e së shtunës.