2 Thesalonikasve 2:1-5
2 Thesalonikasve 2:1-5 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Vëllezër, në lidhje me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht kur ne do të takohemi me të, ju lutemi mos lejoni që t'jua marrin lehtësisht mendjen e t'ju turbullojnë me ndonjë vegim gjoja prej Shpirtit, me ndonjë fjalë apo me ndonjë letër të dërguar gjoja nga ne, e t'ju thonë se paska ardhur dita e Zotit. Askush të mos ju mashtrojë në asnjë mënyrë, sepse ajo ditë nuk do të vijë pa ardhur më parë koha e mohimit të besimit dhe pa u shfaqur njeriu i paudhë, biri i humbjes. Ai do të kundërshtojë dhe do të ngrejë krye ndaj gjithçkaje që quhet Perëndi apo që ka lidhje me adhurimin e Perëndisë. Këtë do ta bëjë që të ulet vetë në tempullin e Perëndisë duke u vetëshpallur perëndi. A nuk e mbani mend se këto gjëra jua kam thënë kur isha ende me ju?
2 Thesalonikasve 2:1-5 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të, të mos lejoni që menjëherë t'ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit. Askush të mos ju gënjejë kurrsesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes, kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi. A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thosha këto gjëra?