2 i Samuelit 6:1-11
2 i Samuelit 6:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Davidi i mblodhi sërish të gjithë të përzgjedhurit e Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë vetë, dhe shkoi bashkë me tërë popullin që ishte me të në Baalah të Judës, për të sjellë që andej arkën e Perëndisë që mbante emrin e ZOTIT të ushtrive, i cili rri mbi kerubë. Arkën e Perëndisë e mbartën me një karrocë të re. E sollën nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Karrocën e re e ngisnin Uzai dhe Ahioi, bijtë e Abinadabit, dhe e sollën bashkë me arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte në majë të kodrës. Ahioi i printe arkës. Davidi e mbarë shtëpia e Izraelit ngazëlleheshin fort para ZOTIT, me këngë, qeste, harpa, dajre, zilka dhe cimbale. Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën e Perëndisë, sepse qetë gati u penguan, mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i ZOTIT dhe e goditi atje, sepse tregoi guxim të tepruar, prandaj dhe vdiq në vend, pranë arkës së Perëndisë. Davidi u mërzit që ZOTI e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah siç quhet edhe sot e kësaj dite. Atë ditë Davidi pati frikë nga ZOTI e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e ZOTIT?». Prandaj Davidi nuk deshi ta merrte me vete arkën e ZOTIT në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Arka e ZOTIT ndenji tre muaj në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. ZOTI e bekoi shtëpinë e tij dhe gjithçka në të.
2 i Samuelit 6:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Davidi i mblodhi përsëri gjithë burrat më të zgjedhur të Izraelit, gjithsej tridhjetë mijë veta. Pastaj u ngrit dhe shkoi me gjithë popullin që ishte me të nga Baale e Judës, për të transportuar që andej arkën e Perëndisë me vete emrin e Zotit të ushtrive, që rri midis kerubinëve. Dhe e vendosën arkën e Perëndisë mbi një qerre të re dhe e hoqën nga shtëpia e Abinabadit që ishte mbi kodër; Uzahu dhe Ahio, bij të Abinadabit, ngisnin qerren e re. Kështu e hoqën arkën e Perëndisë nga shtëpia e Abinadabit që ishte mbi kodër, dhe Ahio ecte përpara arkës. Davidi dhe tërë shtëpia e Izraelit u binin para Zotit lloj-lloj veglash prej druri të selvisë, qesteve, harpave, dajreve, sistrave dhe cembaleve. Kur arritën te lëmi i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt arkës së Perëndisë dhe e mbajti atë, sepse qetë u penguan. Atëherë zemërimi i Zotit u ndez kundër Uzahut, dhe Perëndia e goditi për fajin e tij; ai vdiq në atë vend pranë arkës së Perëndisë. Davidi u trishtua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull, duke goditur Uzahun. Kështu ai vend u quajt Perets-Uzah edhe sot e kësaj dite. Davidi pati frikë atë ditë nga Zoti dhe tha: "Si mund të vijë tek unë arka e të Zotit?". Kështu Davidi nuk deshi ta mbartë arkën e Zotit pranë vetes së tij në qytetin e Davidit, por e transferoi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi. Arka e Zotit mbeti tre muaj në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi, dhe Zoti bekoi Obed-Edomin dhe tërë shtëpinë e tij.