2 i Samuelit 2:1-7
2 i Samuelit 2:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Pas kësaj Davidi pyeti ZOTIN: «A të shkoj te ndonjë qytet i Judës?». ZOTI i tha: «Shko!». Davidi e pyeti: «Në cilin qytet?». Ai i tha: «Në Hebron». Davidi shkoi atje bashkë me dy gratë e tij, Ahinoamën, izreliten, dhe Abigajlën, ish gruan e Nabal Karmelitit. Davidi mori me vete edhe njerëzit e tij, secilin me familjen e vet, dhe banuan në qytetin e Hebronit. Atëherë burrat e Judës erdhën dhe e vajosën Davidin mbret mbi shtëpinë e Judës. Kur e njoftuan Davidin se Saulin e kishin varrosur njerëzit e Jabesh Gileadit, ai dërgoi lajmëtarë te njerëzit e Jabesh Gileadit e u tha: «ZOTI ju bekoftë, se u treguat besnikë ndaj Saulit, zotërisë tuaj, dhe e varrosët. ZOTI qoftë i dashur dhe besnik me ju! Edhe unë do të tregohem i mirë me ju për çfarë bëtë. Tani merrni zemër e bëhuni të fortë, se Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më vajosi mua mbret të tyre».
2 i Samuelit 2:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Mbas kësaj, Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "A duhet të shkoj në ndonjë nga qytetet e Judës?". Zoti iu përgjigj: "Shko". Davidi e pyeti: "Ku të shkoj?". Zoti u përgjigj: "Në Hebron". Kështu Davidi shkoi atje me dy gratë e tij, jezreeliten Ahinoam dhe karmelitën Abigail, që kishte qenë gruaja e Nabalit. Davidi çoi edhe njerëzit që ishin me të, secili me familjen e tij, dhe u vendosën në qytetet e Hebronit. Pastaj erdhën njerëzit e Judës dhe e vajosën Davidin mbret të shtëpisë së Judës. Pas kësaj i thanë Davidit se qenë njerëzit e Jabeshit të Galaadit ata që kishin varrosur Saulin. Atëherë Davidi u dërgoi lajmëtarë njerëzve të Jabeshit të Galaadit për t'u thënë: "Qofshi të bekuar nga Zoti për mirësinë që treguat ndaj Saulit, zotërisë suaj, duke e varrosur! Tani Zoti tregoftë mirësi dhe besnikëri ndaj jush. Edhe unë do t'ju bëj të mirë, sepse keni bërë një gjë të tillë. Prandaj le të marrin forcë duart tuaja dhe qofshi trima, sepse Sauli, zotëria juaj, vdiq, por shtëpia e Judës më ka vajosur mbret të saj".