2 i Samuelit 13:1-39
2 i Samuelit 13:1-39 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Absalomi, biri i Davidit, kishte një motër të bukur që quhej Tamara. Pas njëfarë kohe, Amnoni, biri i Davidit, ra në dashuri me Tamarën. E mundonin aq shumë ndjenjat për Tamarën, saqë u sëmur. Tamara ishte e virgjër, prandaj Amnonit i dukej e pamundur t'i bënte gjë. Amnoni kishte një shok që quhej Jonadab. Ai ishte biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit. Jonadabi ishte shumë dinak. Ai i tha Amnonit: «Pse po dobësohesh dita-ditës, o biri i mbretit? Përse nuk më tregon?». Amnoni iu përgjigj: «Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e Absalomit, vëllait tim». Jehonadabi i tha: «Shtrihu në shtrat dhe hiqu si i sëmurë. Kur të vijë yt atë për të të parë, thuaji: “Le të vijë ime motër, Tamara, të më japë të ha. Ta përgatitë ushqimin para syve të mi, që ta shoh e të ha prej dorës së saj”». Amnoni zuri shtratin dhe u hoq si i sëmurë. Kur erdhi mbreti për ta parë, Amnoni i tha: «Le të vijë ime motër, Tamara, të lutem, e të bëjë dy kuleç para syve të mi, që t'i ha nga dora e saj». Davidi i çoi fjalë Tamarës në shtëpi e i tha: «Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnonit dhe bëji të hajë». Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të vet, Amnonit, që ishte shtrirë në shtrat. Ajo mori miell, ngjeshi brumin, bëri kuleçtë para syve të tij dhe i poqi. Pastaj mori tiganin dhe i zbrazi kuleçtë para tij, por Amnoni nuk donte të hante. Ai urdhëroi të dilnin jashtë të gjithë dhe ata dolën. Amnoni i tha Tamarës: «Ma sill ushqimin në dhomë, që të ha nga dora jote». Tamara i mori kuleçtë që kishte gatuar dhe ia solli në dhomë Amnonit, të vëllait. Kur i solli ushqimin, Amnoni e kapi e i tha: «Eja, shtrihu me mua, motra ime». Tamara iu përgjigj: «Mos, o vëlla, mos më çndero. Kjo nuk bëhet në Izrael. Mos e bëj këtë poshtërsi. Ku ta çoj unë turpin? Por edhe ti do të jesh njeri i poshtër në Izrael. Fol me mbretin dhe ai ka për të më dhënë te ti». Por ai s'deshi ta dëgjonte. E kapi dhe ra në shtrat me të, sepse ishte më i fortë. Atëherë e pushtoi një urrejtje e madhe për të dhe urrejtja që ndjeu ishte shumë më e madhe se dashuria që kishte ndier më parë. Prandaj Amnoni i tha: «Ngrihu e ik». Ajo i tha: «Mos e bëj këtë të keqe më të madhe se ajo që bëre me mua e mos më dëbo». Por ai s'deshi ta dëgjonte. Thirri një nga shërbëtorët, që i shërbente, e i tha: «Nxirre jashtë këtë grua dhe mbyll derën pas saj». Tamara kishte veshur një rrobë të gjatë me mëngë, sepse kështu visheshin bijat virgjëresha të mbretit. Shërbëtori e nxori jashtë Tamarën dhe mbylli derën pas saj. Atëherë Tamara mori hi dhe e hodhi mbi kokë, shqeu mëngët, vuri duart në kokë dhe iku duke bërtitur. Absalomi, i vëllai, e pyeti: «A mos ra në shtrat me ty Amnoni, yt vëlla? Tani për tani, hesht, o motra ime, dhe mos të të shqetësohet zemra për këtë punë». Tamara ndenji e pikëlluar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. Kur i mori vesh këto ngjarje, mbreti David u zemërua shumë. Absalomi nuk i tha asnjë fjalë Amnonit, as për mirë, as për keq, por e urrente, sepse i kishte çnderuar të motrën, Tamarën. Dy vjet më vonë, kur i kishte qethësit e deleve në Baal Hacor, pranë Efraimit, Absalomi ftoi të gjithë bijtë e mbretit. Ai shkoi te mbreti e i tha: «Qethësit e deleve kanë ardhur te shërbëtori yt. I lutem edhe mbretit të urdhërojë në shtëpinë e shërbëtorit të tij, bashkë me shërbëtorët e vet». Mbreti iu përgjigj Absalomit: «Jo, biri im, mos na detyro të gjithëve të vijmë e të të bëhemi barrë». Absalomi nguli këmbë, por mbreti nuk deshi të shkonte, megjithatë e bekoi. Absalomi i tha: «Nëse jo, atëherë le të vijë me ne Amnoni, vëllai im». Mbreti e pyeti: «Përse të vijë me ty?». Absalomi iu përgjërua, prandaj mbreti i la të shkonin Amnonin dhe të gjithë bijtë e mbretit. Atëherë Absalomi u dha këtë urdhër shërbëtorëve të tij: «Kur ta shihni Amnonin të dehur me verë e unë t'ju jap urdhrin për ta goditur, vriteni e mos kini frikë, sepse urdhrin jua kam dhënë unë. Jini të fortë e bëhuni trima». Shërbëtorët e Absalomit vepruan me Amnonin siç i kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë të gjithë bijtë e mbretit u hipën mushkave dhe ikën. Teksa ishin ende udhës, Davidit i erdhi ky lajm: «Absalomi i vrau të gjithë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjë prej tyre». Atëherë mbreti u ngrit, shqeu rrobat dhe u shtri përtokë. Edhe të gjithë shërbëtorët që e rrethonin i shqyen rrobat. Jonadabi, biri i Shimeahut, të vëllait të Davidit, tha: «Të mos mendojë imzot se janë vrarë të gjithë bijtë e rinj të mbretit. Është vrarë vetëm Amnoni. Absalomi e kishte vendosur ta vriste që ditën kur Amnoni çnderoi Tamarën, motrën e tij. Prandaj, imzot të mos e marrë përnjëmend lajmin se janë vrarë të gjithë bijtë e mbretit, sepse ka vdekur vetëm Amnoni». Absalomi mori arratinë. Ndërkohë, djaloshi që bënte roje ngriti sytë dhe pa se po vinte një turmë e madhe njerëzish nga rruga mbrapa tij, anës malit. Atëherë Jonadabi i tha mbretit: «Ja, po vijnë bijtë e mbretit. Ka ndodhur siç tha shërbëtori yt». Sa mbaroi fjalën, ia behën bijtë e mbretit. Ata vajtonin me të madhe. Edhe mbreti me shërbëtorët e tij vunë kujën dhe vajtuan. Absalomi iku dhe shkoi te Talmai, biri i Amihudit, mbreti i Geshurit. Davidi e vajtonte të birin çdo ditë. Kështu, Absalomi iku në Geshur dhe qëndroi atje tre vjet. Kur iu lehtësua dhimbja për vdekjen e Amnonit, mbreti David deshi të shkonte e ta takonte Absalomin.
2 i Samuelit 13:1-39 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj ndodhi që Absalomi, bir i Davidit, kishte një motër shumë të bukur që quhej Tamara; por Amnoni, bir i Davidit, u dashurua me të. Amnoni u dashurua me aq pasion me motrën e tij Tamara sa ra i sëmurë, sepse ajo ishte e virgjër; dhe Amnonit i dukej e vështirë t'i bënte gjë. Amnoni kishte një shok, që quhej Jonadab, bir i Shimeahut, vëllait të Davidit; Jonadabi ishte një njeri shumë dinak. Ky i tha: "Pse, o bir i mbretit, vazhdon të dobësohesh çdo ditë që kalon? Nuk dëshiron të ma thuash?". Amnoni iu përgjigj: "Kam rënë në dashuri me Tamarën, motrën e vëllait tim Absalom". Atëherë Jonadabi i tha: "Rri në shtrat dhe bëj sikur je i sëmurë; kur të vijë yt atë të të shikojë, thuaji: "Bëj, të lutem, që motra ime Tamara të vijë të më japë të ha dhe ta përgatisë ushqimin në praninë time, në mënyrë që unë ta shikoj dhe ta marr nga duart e saj"". Kështu Amnoni ra në shtrat dhe u shti i sëmurë; kur më vonë erdhi mbreti ta shikojë, Amnoni i tha: "Lër, të lutem, që motra ime Tamara të vijë dhe të më përgatisë nja dy kuleç në praninë time; kështu do të marr ushqim nga duart e saj". Atëherë Davidi dërgoi njeri në shtëpinë e Tamarës për t'i thënë: "Shko në shtëpinë e vëllait tënd Amnon dhe përgatiti diçka për të ngrënë". Tamara shkoi në shtëpinë e vëllait të saj Amnon, që rrinte shtrirë në shtrat. Pastaj mori pak miell, e brumosi, përgatiti disa kuleç para syve të tij dhe i poqi. Pastaj mori një enë me bisht dhe i derdhi kuleçtë para tij, por Amnoni nuk pranoi t'i hajë dhe tha: "Nxirrni jashtë që këtej tërë njerëzit". Tërë sa ishin dolën jashtë. Atëherë Amnoni i tha Tamarës: "Ma ço ushqimin në dhomën time dhe do ta marr nga duart e tua". Kështu Tamara i mori kuleçtë që kishte përgatitur dhe i çoj në dhomën e Amnonit, vëllait të saj. Ndërsa po ia jepte për të ngrënë, ai e kapi dhe i tha: "Eja, shtrihu me mua, motra ime". Ajo iu përgjigj: "Jo, vëllai im, mos më poshtëro kështu; kjo nuk bëhet në Izrael; mos kryej një poshtërsi të tillë! Po unë ku ta çoj turpin tim? Kurse ti do të konsiderohesh si keqbërës në Izrael. Tani, të lutem, foli mbretit dhe ai nuk ka për të më refuzuar ndaj teje". Por ai nuk deshi ta dëgjojë dhe, duke qenë më i fortë se ajo, e dhunoi dhe ra në shtrat me të. Pastaj Amnoni filloi ta urrejë me një urrejtje shumë të madhe, kështu që urrejtja që ndjente për të ishte më e madhe se dashuria me të cilën e kishte dashuruar më parë. Kështu Amnoni i tha: "Çohu, shko!". Por ajo iu përgjigj: "Oh, jo! Dëmi që do të më bëje duke më përzënë do të ishte më i madh se ai që më ke bërë deri tani". Por ai nuk deshi ta dëgjojë. Thirri, pra, shërbëtorin që e ndihmonte dhe i tha: "Largoje këtë larg meje dhe mbylle portën prapa saj". Ajo kishte veshur një tunikë me mëngë, sepse kështu visheshin vajzat e mbretit akoma të virgjëra. Kështu shërbëtori i Amnonit e nxori jashtë dhe mbylli derën prapa saj. Tamara atëherë hodhi mbi kryet e saj, grisi tunikën më mëngë që kishte veshur, vuri dorën mbi kokë dhe iku duke ulëritur. Absalomi, vëllai, i tha: "Ndofta vëllai yt Amnon ka qenë me ty? Tani për tani hesht, motra ime; ai është yt vëlla; mos e lësho veten për këtë". Kështu Tamara mbeti e dëshpëruar në shtëpinë e Absalomit, vëllait të saj. Kur mbreti David i mësoi të gjitha këto, u zemërua shumë. Por Absalomi nuk i drejtoi asnjë fjalë Amnonit, as për të mirë as për të keq, sepse e urrente Amnonin se kishte poshtëruar motrën e tij Tamara. Dy vjet më vonë, kur Absalomi kishte qethësit e bagëtive në Baal-Hatsroit pranë Efraimit, ftoi të gjithë bijtë e mbretit. Absalomi shkoi të takohet me mbretin dhe i tha: "Shërbëtori yt ka qethësit; të lutem të vijë edhe mbreti me gjithë shërbëtorët e tij në shtëpinë e shërbëtorit tënd!". Por mbreti i tha Absalomit: "Jo, biri im, nuk po vijmë tani të gjithë, që të mos të të rëndojë". Megjithëse ai nguli këmbë, mbreti nuk desh të shkonte, por i dha bekimin e tij. Atëherë Absalomi i tha: "Në rast se nuk do të vish ti, të lutem, lejo Amnonin, vëllanë tim, të vijë me ne". Mbreti iu përgjigj: "Pse duhet të vijë me ty?". Por Absalomi nguli këmbë aq shumë sa që Davidi lejoi të shkojnë bashkë me të Amnonin dhe gjithë bijtë e mbretit. Absalomi u kishte dhënë këtë urdhër shërbëtorëve të tij, duke thënë: "Hapni sytë, kur Amnoni të jetë dehur nga vera dhe unë t'ju them: "Goditeni Amnonin!", ju vriteni dhe mos kini frikë. A nuk jam unë që ju urdhëroj? Bëhuni trima dhe tregohuni të fortë!". Kështu shërbëtorët e Absalomit vepruan kundër Amnonit, ashtu si kishte urdhëruar Absalomi. Atëherë tërë bijtë e mbretit u ngritën, hipën secili mbi mushkën e vet dhe ua mbathën. Ndërsa ishin akoma rrugës, Davidit i arriti ky lajm: "Absalomi ka vrarë tërë bijtë e mbretit dhe nuk ka shpëtuar asnjëri prej tyre". Atëherë mbreti u ngrit, grisi rrobat e tij dhe u shtri për tokë; dhe të gjithë shërbëtorët e tij, i rrinin rrotull, me rrobat e grisura. Por Jonadabi, bir i Shimeahut dhe vëlla i Davidit, tha: "Të mos mendojë zotëria im që tërë të rinjtë, bijtë e mbretit, u vranë; Amnoni është i vetmi që vdiq. Me urdhër të Absalomit kjo gjë u vendos që ditën që Amnoni poshtëroi motrën e tij Tamara. Prandaj mbreti, zotëria im, të mos hidhërohet duke menduar se të gjithë bijtë e mbretit kanë vdekur; vetëm Amnoni ka vdekur, dhe Absalomi ka ikur". Ndërkaq i riu që bënte roje ngriti sytë, shikoi, dhe ja, një turmë e madhe njerëzish vinte nga rruga prapa tij, nga ana e malit. Jonadabi i tha mbretit: "Ja bijtë e mbretit që po vijnë! Gjendja është pikërisht ashtu siç tha shërbëtori yt". Sa e mbaroi fjalën, arritën bijtë e mbretit, të cilët e ngritën zërin dhe filluan të qajnë; edhe mbreti dhe tërë shërbëtorët e tij filluan të qajnë me të madhe. Absalomi kishte ikur dhe kishte shkuar te Talmai, bir i Amihudit, mbret i Geshurit. Davidi mbante zi çdo ditë për birin e tij. Kështu Absalomi ia mbathi dhe shkoi në Geshur, ku qëndroi tre vjet. Mbreti David dëshironte të shkonte te Absalomi, sepse ishte ngushëlluar tanimë nga vdekja e Amnonit.