Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Pjetrit 1:1-15

2 Pjetrit 1:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Unë, Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, po ju shkruaj juve që nga drejtësia e Perëndisë tonë dhe e shpëtimtarit Jezu Krisht keni marrë të njëjtin besim me ne: hiri e paqja u shtofshin mbi ju me njohjen e Perëndisë e të Zotit tonë Jezu! Fuqia e tij hyjnore na dhuroi gjithçka që na nevojitet për jetën e përkushtuar ndaj Perëndisë, nëpërmjet njohjes së atij që na thirri në lavdinë dhe fuqinë e tij. Me to na u dhuruan premtimet shumë të mëdha e të çmueshme, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke shpëtuar nga prishja që sjellin kënaqësitë e botës. Prandaj bëni çdo përpjekje për t'i shtuar besimit tuaj virtytin, virtytit diturinë, diturisë vetëkontrollin, vetëkontrollit durimin, durimit përkushtimin ndaj Perëndisë, përkushtimit ndaj Perëndisë dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. Sepse nëse i keni të gjitha këto me shumicë, ato nuk do t'ju lejojnë të bëheni përtacë e të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kush nuk i ka këto, është i verbër e dritëshkurtër dhe ka harruar se është pastruar nga mëkatet e tij të vjetra. Prandaj, vëllezër, përpiquni ta forconi sa më shumë thirrjen dhe zgjedhjen tuaj nga Perëndia, sepse po t'i bëni këto gjëra, nuk do të bini kurrë. Kështu do t'ju hapet plotësisht hyrja për në mbretërinë e amshuar të Zotit e të shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Për këtë arsye do të vazhdoj t'jua kujtoj përherë këto gjëra, edhe pse i dini e jeni të palëkundur në këtë të vërtetë. Mendoj se është e drejtë t'ju mbaj zgjuar duke jua kujtuar ato për sa të jem në këtë jetë. Unë e di se do ta lë shpejt këtë trup, sikurse ma ka shfaqur Zoti ynë Jezu Krisht. Prandaj do të përpiqem që të mund t'i kujtoni të gjitha këto gjëra edhe pas largimit tim.

2 Pjetrit 1:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht: hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë. Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet, me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjesëtarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë. Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t'i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë, diturisë vetëkontroll, vetëkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmërinë, perëndishmërisë dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë. Sepse nëse këto gjëra gjenden në ju me shumicë, nuk do t'ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetra. Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë. Sepse kështu begatisht do t'ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Prandaj nuk do të lë pas dore t'ju kujtoj vazhdimisht këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të patundur në këtë të vërtetë. Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t'ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend, duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht. Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t'i kujtoni gjithnjë këto gjëra.