2 e Korintasve 12:11-21
2 e Korintasve 12:11-21 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
U bëra i marrë, por më detyruat ju. Ju duhej të më kishit lavdëruar, se, edhe pse nuk jam asgjë, nuk jam aspak më i vogël se ata që e mbajnë veten mbi apostujt. Unë jam apostull i vërtetë dhe këtë e tregojnë mrekullitë, shenjat dhe veprat e fuqishme që kam kryer para jush me shumë durim. Në çfarë gjëje u latë pas kishave të tjera? Mos ndoshta ngaqë unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë padrejtësi. Ja, jam gati të vij te ju për të tretën herë e nuk do t'ju bëhem barrë, sepse nuk kërkoj gjërat tuaja, por ju kërkoj ju. Nuk janë fëmijët ata që duhet të mbledhin thesar për prindërit, por prindërit për fëmijët. Me gëzim të madh do të shpenzoj e do të shpenzohem krejtësisht për ju. Megjithëse unë ju dua më shumë, ju më doni më pak. Unë nuk ju jam bërë barrë, por e zëmë se unë paskam qenë dinak e ju paskam mashtruar me dredhi. A mos ju kam shfrytëzuar me anë të atyre që kam dërguar te ju? Iu luta Titit që të vinte dhe dërgova me të edhe vëllanë që ju e njihni. Titi nuk ju ka shfrytëzuar, apo jo? A nuk jemi sjellë edhe ne në të njëjtin shpirt? A nuk kemi ecur në të njëjtat gjurmë? A mos keni menduar deri tani se po përpiqemi të mbrojmë veten para jush? Ne flasim para Perëndisë, të mbështetur në Krishtin dhe gjithçka që bëjmë, fort të dashur, është për rritjen tuaj. Kam frikë se, kur të vij, nuk do t'ju gjej siç dëshiroj e nuk do të më gjeni siç dëshironi. Kam frikë se mes jush do të gjej grindje, smirë, zemërime, sedër të sëmurë, thashetheme, murmuritje, mendjemadhësi e rrëmujë. Kam frikë se kur të vij përsëri, Perëndia im do të më përulë para jush e se do të mbaj zi për shumë veta që kanë mëkatuar dikur e nuk janë penduar për ndyrësinë, kurvërinë e fëlligështinë e tyre.
2 e Korintasve 12:11-21 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
U bëra i marrë duke u mburrur; ju më shtrënguat, sepse u desh që ju të më rekomandoni, sepse nuk qeshë aspak më poshtë se apostujt e lartë, edhe pse unë nuk jam asgjë. Shenjat e apostullit u vërtetuan ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe çudira. Vallë nëse ju mbetët prapa, pra, nga kishat e tjera, veçse në faktin se unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë gabim. Ja, kjo është e treta herë që jam gati të vij te ju, dhe nuk dua t'ju bëhem barrë, sepse s'kërkoj pasuritë tuaja, por juve; sepse bijtë nuk e kanë për detyrë të mbledhin për prindërit, por prindërit për bijtë. Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithëse ju dua më fort dhe më doni më pak. Ashtu qoftë! Unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë, duke qenë dinak ju zura me dredhi. Mos përfitova vallë ndonjë gjë nga ju me anë të ndonjë që dërgova te ju? Unë iu luta Titit dhe me të dërgova edhe këtë vëlla. Mos përfitoi gjë Titi nga ju? A nuk kemi ecur me të njëjtin frymë dhe në të njëjtat gjurmë? A mendoni përsëri se ne kërkojmë të justifikohemi para jush? Ne flasim përpara Perëndisë, në Krishtin, dhe të gjitha këto, o fort të dashur, janë për ndërtimin tuaj. Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, shpërthime, përgojime, insinuata, kryelartësi, ose trazira midis jush; se mos kur të vijë sërish, Perëndia im do të më përulë në mes tuaj dhe unë do të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk u penduan për fëlliqësinë, kurvërinë dhe shthurjen që praktikuan.