2 i Kronikave 7:11-16
2 i Kronikave 7:11-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe gjithçka që kishte për zemër të bënte në tempullin e ZOTIT dhe në pallatin mbretëror, ZOTI iu shfaq natën e i tha: «E dëgjova lutjen tënde dhe e zgjodha këtë vend për vete, që të jetë tempull flijimesh. Nëse unë e mbyll qiellin e nuk bie më shi, nëse urdhëroj karkalecat të gllabërojnë vendin dhe dërgoj murtajën kundër popullit tim, dhe populli im, që mban emrin tim, përulet, lutet dhe më kërkon, duke u kthyer nga udha e mbrapshtë, unë do ta dëgjoj prej qiellit, do t'ia fal mëkatin dhe do t'ia shëroj tokën. Sytë e mi do të qëndrojnë hapur dhe veshët e mi do të dëgjojnë me kujdes çdo lutje që do të bëhet nga ky vend. Unë e zgjodha këtë tempull dhe e shenjtërova, që aty të banojë emri im në amshim. Sytë dhe zemra ime do të jenë përherë aty.
2 i Kronikave 7:11-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kështu Salomoni përfundoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij, dhe arriti të mbarojë gjithçka që kishte në zemër për shtëpinë e Zotit dhe për shtëpinë e vet. Pastaj Zoti iu shfaq natën Salomonit dhe i tha: "E plotësova lutjen tënde dhe zgjodha këtë vend për vete si shtëpi flijimesh. Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t'i dërgoj murtajën popullit tim, në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t'i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij. Tani sytë e mi do të jenë të hapur dhe veshët e mi të vëmendshëm për lutjen e bërë në këtë vend, sepse tani kam zgjedhur dhe shenjtëruar këtë tempull, që emri im të mbetet aty përjetë; sytë dhe zemra ime do të jenë gjithnjë aty.