2 i Kronikave 18:1-34
2 i Kronikave 18:1-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Joshafati pati shumë pasuri dhe lavdi. Ai lidhi krushqi me Ahabin. Pas shumë vitesh Joshafati shkoi për ta parë Ahabin në Samari dhe Ahabi theri shumë dele e bagëti për nder të tij e të shpurës së tij. Ahabi ia mbushi mendjen Joshafatit, që të shkonte bashkë me të për të sulmuar Ramotin e Gileadit. Atëherë Ahabi, mbreti i Izraelit, i tha Joshafatit, mbretit të Judës: «A do të vish me mua të luftojmë për Ramotin e Gileadit?». Ai iu përgjigj: «Unë dhe ti jemi një. Luftëtarët e mi janë të tutë dhe unë do të jem me ty në betejë». Joshafati i tha Ahabit, mbretit të Izraelit: «Të lutem, veçse, këshillohu që sot me ZOTIN». Atëherë mbreti i Izraelit mblodhi profetët, katërqind në numër, e u tha: «A të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Profetët i thanë: «Shko, se Perëndia ka për t'ia dorëzuar mbretit». Por Joshafati pyeti: «A ka ndonjë profet tjetër të ZOTIT, me të cilin mund të këshillohemi?». Mbreti i Izraelit iu përgjigj Joshafatit: «Ka edhe një profet tjetër, nëpërmjet të cilit mund të këshillohemi me ZOTIN. Është Mikahu, biri i Imlahut, por unë e urrej, se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq». Joshafati i tha: «Mos fol ashtu, o mbret!». Atëherë mbreti i Izraelit thirri një nga zyrtarët e i tha: «Më sill shpejt Mikahun, birin e Imlahut!». Ahabi, mbreti i Izraelit, dhe Joshafati, mbreti i Judës, ishin ulur te sheshi, që ndodhet pranë portave të qytetit të Samarisë, secili në fronin e vet, veshur me stoli mbretërore, ndërsa profetët profetizonin para tyre. Sedekia, biri i Kenanahut, bëri brirë hekuri e tha: «Kështu thotë ZOTI: me këta brirë do ta tejshposh Aramin derisa ta shkatërrosh krejt». Po ashtu profetizuan edhe profetët e tjerë e thanë: «Shko në Ramot të Gileadit e të priftë e mbara! ZOTI ka për t'ia dorëzuar mbretit». Lajmëtari, që kishte shkuar për të thirrur Mikahun, i tha: «Të gjithë profetët kanë profetizuar njëzëri mbarësi për mbretin. Le të jetë edhe fjala jote e mirë si fjala e tyre e të profetizosh mbarësi». Mikahu i tha: «Pasha ZOTIN, do të them ç'të më thotë Perëndia im». Mikahu shkoi te mbreti e mbreti i tha: «Mikah, a të shkojmë në luftë për Ramotin e Gileadit apo të heq dorë?». Mikahu u përgjigj: «Shkoni e ju priftë e mbara! Zoti do t'jua dorëzojë qytetin». Por mbreti i tha: «Sa herë duhet të të përbej, që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të ZOTIT?». Atëherë Mikahu i tha: «Pashë mbarë Izraelin të hapërdarë nëpër male si delet pa bari. E ZOTI thotë: nuk kanë më prijës. Le të kthehen nëpër shtëpitë e tyre në paqe». Atëherë mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «A nuk të thashë se ai nuk profetizon asnjëherë mirë për mua, por vetëm keq?». Mikahu i tha: «Dëgjo, pra, fjalën e ZOTIT: pashë ZOTIN të ulur në fron dhe tërë ushtritë qiellore të engjëjve që qëndronin në të djathtë e në të majtë të tij. E atëherë ZOTI tha: “Kush do ta mashtrojë Ahabin, mbretin e Izraelit, që të shkojë e të sulmojë Ramotin e Gileadit?”. Njëri thoshte ky e tjetri thoshte ai. Atëherë doli një shpirt, u paraqit para ZOTIT e tha: “Do ta mashtroj unë”. ZOTI e pyeti: “Si?”. Shpirti tha: “Do të shkoj e do t'i bëj të gjithë profetët e tij të thonë gënjeshtra”. Atëherë Zoti i tha: “Po, kështu do ta mashtrosh vërtet. Shko e bëj siç the!”. Kështu, pra, ZOTI ka vënë një shpirt gënjeshtar në gojën e të gjithë profetëve të tu, sepse në të vërtetë ZOTI ka folur për fatkeqësi kundër teje». Atëherë Sedekia, biri i Kenanahut, iu afrua Mikahut, i ra me shpullë në faqe e i tha: «Mos u largua Shpirti i ZOTIT prej meje, që të flasë përmes teje?». Mikahu iu përgjigj: «Do ta marrësh vesh ditën që do të vraposh për t'u fshehur në dhomën më të thellë të shtëpisë». Atëherë mbreti i Izraelit tha: «Merreni Mikahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritari i qytetit, dhe te Joashi, djali i mbretit, e thuajuni ta fusin në burg me urdhër të mbretit dhe ta ushqejnë vetëm me pak bukë e ujë, derisa të kthehem unë shëndoshë e mirë». Mikahu i tha: «Nëse vërtet kthehesh shëndoshë e mirë, atëherë ZOTI nuk ka folur përmes meje». E shtoi: «Mbani vesh të gjithë ju, o njerëz!». Mbreti i Izraelit dhe Joshafati, mbreti i Judës, shkuan për të sulmuar Ramotin e Gileadit. Mbreti i Izraelit i tha Joshafatit: «Unë do të ndërroj rrobat për të mos u njohur e do të shkoj për të luftuar, ndërsa ti rri veshur me rrobat e tua mbretërore». Mbreti i Izraelit ndërroi rrobat për të mos u njohur e ata shkuan për të luftuar. Mbreti i Aramit u kishte dhënë këtë urdhër tridhjetë e dy prijësve të qerreve të luftës: «Mos sulmoni as luftëtarët e thjeshtë e as krerët e tyre, por vetëm mbretin e Izraelit». Kur prijësit e qerreve panë karrocën e Joshafatit, menduan se ishte mbreti i Izraelit, prandaj dhe iu vërsulën. Joshafati ia dha ulërimës dhe ZOTI e ndihmoi. Perëndia i largoi prej tij ata që e ndiqnin. Prijësit e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit dhe hoqën dorë nga ndjekja. Por një luftëtar ndehu rastësisht harkun dhe shigjeta goditi mbretin e Izraelit mes brezit e parzmores. Atëherë mbreti i tha karrocierit të vet: «Kthehu e më nxirr nga beteja, se jam plagosur». Atë ditë beteja qe shumë e ashpër. Mbretin e Izraelit e mbështetën mbi karrocën e tij, ballë për ballë me luftëtarët e Aramit, deri në mbrëmje. Kur po perëndonte dielli, mbreti vdiq.
2 i Kronikave 18:1-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Jozafati pati pasuri të mëdha dhe lavdi; ai bëri krushqi me Ashabin. Mbas disa vjetësh ai zbriti në Samari tek Ashabi. Atëherë Ashabi theri për të dhe për njerëzit që ishin me të një numër të madh delesh dhe lopësh dhe e bindi të dilte bashkë me të kundër Ramothit nga Galaadi. Kështu Ashabi, mbret i Izraelit, i tha Jozafatit, mbretit të Judës: "A do të vish me mua kundër Ramothit nga Galaadi?". Jozafati iu përgjigj: "Ki besim tek unë si te vetja jote, te njerëzit e mi si te njerëzit e tu; do të vijmë në luftë bashkë me ty". Pastaj Jozafati i tha mbretit të Izraelit: "Të lutem, konsulto po sot fjalën e Zotit". Atëherë mbreti i Izraelit thirri profetët, katërqind veta, dhe u tha atyre: "A duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit nga Galaadi, apo duhet të heq dorë nga ky veprim?". Ata iu përgjigjën: "Shko, pra, sepse Perëndia do ta japë atë në duart e mbretit". Por Jozafati tha: "Nuk ka këtu ndonjë profet tjetër të Zotit me të cilin mund të këshillohemi?". Mbreti i Izraelit iu përgjigj Jozafatit: "Është edhe një njeri, Mikajahu, bir i Imlas, me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin; por unë e urrej, sepse nuk profetizon kurrë ndonjë gjë të mirë për mua, por vetëm të keqen". Jozafati tha: "Mbreti të mos flasë kështu". Atëherë mbreti i Izraelit thirri një eunuk dhe i tha: "Sille shpejt Mikajahun, birin e Imlas". Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, ishin ulur secili në fronin e vet, të veshur me rrobat e tyre mbretërore; ishin ulur në lëmin që është te hyrja e portës së Samarisë; dhe tërë profetët bënin profeci përpara tyre. Sedekia, bir i Kenaanahut, që kishte bërë brirë prej hekuri, tha: "Kështu thotë Zoti: "Me këta brirë do të shposh tejpërtej sirët derisa t'i shkatërrosh plotësisht"". Tërë profetët profetizuan në të njëjtën mënyrë, duke thënë: "Dil kundër Ramothit nga Galaadi dhe do t'ia dalësh, sepse Zoti do ta japë atë në duart e mbretit". Lajmëtari, që kishte shkuar të thërriste Mikajahun, i foli duke i thënë: "Ja, fjalët e profetëve përputhen duke thënë gjëra të mira për mbretin. Prandaj të lutem që fjala jote të jetë si fjala e secilit prej tyre; edhe ti thuaj gjëra të mira". Por Mikajahu u përgjigj: "Ashtu siç është e vërtetë që Zoti rron, çdo gjë që Perëndia im do të thotë unë do ta shpall". Si arriti para mbretit, mbreti i tha: "Mikajah, a duhet të shkojmë të luftojmë kundër Ramothit të Galaadit, apo duhet të heq dorë?". Ai u përgjigj: "Shkoni, pra, dhe do t'ju dalë mbarë, sepse ata do të jepen në duart tuaja". Atëherë mbreti i tha: "Sa herë duhet të përgjërohem që të më thuash vetëm të vërtetën në emër të Zotit?". Mikajahu u përgjigj: "E pashë tërë Izraelin të shpërndarë në malet, ashtu si dhentë që janë pa bari; dhe Zoti tha: "Ata nuk kanë më zot; le të kthehet secili në paqe në shtëpinë e vet"". Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "A nuk të kisha thënë se lidhur me mua ai nuk do të profetizonte asgjë të mirë, por vetëm të keqen?". Atëherë Mikajahu i tha: "Prandaj dëgjo fjalën e Zotit. Unë e kam parë Zotin të ulur mbi fronin e tij, ndërsa tërë ushtria qiellore rrinte në të djathtë dhe në të majtë të tij. Zoti tha: "Kush do ta mashtrojë Ashabin, mbretin e Izraelit, që ai të dalë dhe të vdesë në Ramoth të Galaadit?"". Dikush u përgjigj në një mënyrë, dikush në mënyrë tjetër. Atëherë doli përpara një frymë që u paraqit para Zotit dhe tha: "Unë do t'ia mbush mendjen". Zoti i tha: "Në çfarë mënyre?". Ai u përgjigj: "Unë do të dal dhe do të jem një frymë i gënjeshtrës në gojën e të gjithë profetëve të tij". Zoti i tha: "Me siguri do të arrish ta bësh për vete, shko dhe vepro kështu". Prandaj ja, Zoti ka vënë një frymë gënjeshtre në gojën e këtyre profetëve të tu, por Zoti shpall fatkeqësi kundër teje". Atëherë Sedekia, bir i Kenaanahut, u afrua dhe goditi me një shpullë Mikajahun, dhe tha: "Nga kaloi Fryma e Zotit kur doli nga unë që të flasë me ty?". Mikajahu u përgjigj: "Ja, do ta shohësh ditën në të cilën do të shkosh në një dhomë të brendshme për t'u fshehur!". Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Merreni Mikajahun dhe çojeni tek Amoni, qeveritar i qytetit, dhe tek Joasi, bir i mbretit, dhe u thoni atyre: Kështu thotë mbreti: "Futeni këtë në burg dhe ushqejeni me bukë dhe me ujë hidhërimi, derisa unë të kthehem shëndoshë e mirë"". Mikajahu tha: "Në rast se ti kthehesh me të vërtetë shëndoshë e mirë, kjo do të thotë që Zoti nuk ka folur nëpërmjet meje". Dhe shtoi: "Dëgjoni, o ju popuj të gjithë!". Mbreti i Izraelit dhe Jozafati, mbret i Judës, dolën, pra, kundër Ramothit nga Galaadi. Mbreti i Izraelit i tha Jozafatit: "Unë do të vishem ndryshe dhe pastaj do të shkoj të luftoj, por ti vish rrobat e tua mbretërore". Kështu mbreti i Izraelit ndërroi rrobat dhe shkuan të luftojnë. Mbreti i Sirisë kishte dhënë këtë urdhër kapitenëve të qerreve të tij duke thënë: "Mos luftoni kundër askujt, të madh apo të vogël, por vetëm kundër mbretit të Izraelit". Kështu, kur kapitenët e qerreve panë Jozafatin, ata thanë: "Ai është mbreti i Izraelit". Pastaj e rrethuan për ta sulmuar; por Jozafati lëshoi një britmë dhe Zoti i vajti në ndihmë; Perëndia i shtyu të largoheshin prej tij. Kur kapitenët e qerreve e kuptuan se nuk ishte mbreti i Izraelit, hoqën dorë nga ndjekja. Por një njeri hodhi rastësisht një shigjetë me harkun e tij dhe e goditi mbretin e Izraelit midis lidhjeve të parzmores së tij; prandaj mbreti i tha shqytarit të tij: "Kthehu dhe më ço larg përleshjes, sepse jam plagosur". Por beteja ishte aq e ashpër atë ditë sa që mbreti u detyrua të qëndrojë mbi qerren e tij përballë sirëve deri në mbrëmje, dhe kur perëndoi dielli ai vdiq.