1 Timoteut 6:11-16
1 Timoteut 6:11-16 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin e zemërbutësinë. Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve. Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit, që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë e të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht. Kur të vijë koha, ardhjen e tij do ta tregojë Perëndia, i lumi, i vetmi sundues, mbreti i mbretërve e Zoti i zotërve. Vetëm ai është i pavdekshëm e banon në dritën që asnjeri nuk i afrohet dot. Atë nuk e ka parë asnjë njeri e as nuk mund ta shohë. Atij i qoftë nderi dhe fuqia e amshuar! Amen!
1 Timoteut 6:11-16 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë. Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve. Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi, ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht, që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve, ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.