1 Thesalonikasve 3:6-13
1 Thesalonikasve 3:6-13 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Por Timoteu është kthyer tashmë prej jush dhe ka sjellë lajme të mira për besimin dhe për dashurinë tuaj, dhe se ju ruani kujtime të mira për ne dhe keni mall të na shihni, sikurse kemi edhe ne mall t'ju shohim. Prandaj, o vëllezër, mes gjithë mundimeve e vuajtjeve që po kalojmë, gjetëm ngushëllim falë besimit tuaj. Sepse tani që morëm vesh se ju qëndroni të fortë në Zotin, ne jetojmë me të vërtetë. Me çfarë fjalësh mund ta falënderojmë Perëndinë pas gjithë atij gëzimi që na dhatë para tij? Ne i lutemi me gjithë zemër Perëndisë, natë e ditë, që t'ju shohim nga afër dhe të plotësojmë ato që ende i mungojnë besimit tuaj. Vetë Perëndia, Ati ynë dhe Zoti ynë Jezu na drejtofshin udhën për te ju! Zoti e shtoftë dhe bëftë që të teprojë dashuria juaj për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, ashtu siç është edhe dashuria jonë për ju! Ai i forcoftë zemrat tuaja, që ju të jeni të shenjtë dhe të paqortueshëm para Perëndisë dhe Atit tonë kur Zoti ynë Jezu të vijë bashkë me të gjithë të shenjtët e tij! Amen!
1 Thesalonikasve 3:6-13 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por tani që u kthye Timoteu prej jush dhe na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj, dhe se ju ruani gjithnjë një kujtim të mirë për ne dhe keni mall të madh që të na shihni, sikurse edhe ne t'ju shohim juve, prandaj, o vëllezër, ne u ngushëlluam për ju, me gjithë pikëllimin dhe vuajtjet tona, për hir të besimit tuaj, sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin. Sepse çfarë falënderimi mund t'i drejtojmë Perëndisë për ju, për gjithë gëzimin që ndiejmë për shkakun tuaj përpara Perëndisë sonë, duke u lutur shumë, natë e ditë, që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj? Po vetë Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezu Krishti e sheshoftë rrugën tonë për te ju. Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush, për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij. Amen.