1 i Samuelit 14:21-27
1 i Samuelit 14:21-27 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Hebrenjtë që ishin bashkuar më parë me filistinët dhe ishin në fushim me ta, dolën kundra e u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin e Jonatanin. Kur e morën vesh tërë izraelitët që ishin fshehur në malësinë e Efraimit se filistinët po ua mbathnin, dolën edhe ata në luftë e i ndoqën pas. Atë ditë ZOTI e shpëtoi Izraelin. Beteja u shtri deri në Bet Aven. Izraelitët ishin të rraskapitur atë ditë, se Sauli i kishte vënë në be kur kishte thënë: «Mallkuar qoftë kushdo që ha para se të ngryset, para se unë të hakmerrem kundër armiqve të mi». Kështu, populli nuk futi gjë në gojë. Atëherë tërë populli hyri në një pyll ku mjalti pikonte përtokë. Por, kur hynë në pyll, edhe pse e shihnin mjaltin që pikonte, askush nuk guxonte të zgjaste dorën e të hante, se i trembeshin betimit. Jonatani nuk e kishte dëgjuar betimin e të atit para popullit, prandaj zgjati shkopin, e ngjeu majën në hojet e mjaltit dhe e futi në gojë. Sytë i ndritën.
1 i Samuelit 14:21-27 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Vetë hebrenjtë, të cilët prej pak kohe gjendeshin me filistenjtë dhe ishin ngjitur bashkë me ta në kamp nga krahina përreth, u bashkuan me izraelitët që ishin me Saulin dhe Jonathanin. Po kështu tërë izraelitët që ishin fshehur në zonën malore të Efraimit, kur mësuan që filistenjtë po ia mbathnin, filluan edhe ata t'i ndjekin duke marrë pjesë në betejë. Kështu atë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin dhe beteja u shtri deri në Beth-Aven. Por atë ditë njerëzit e Izraelit ishin të rraskapitur, sepse Sauli e kishte vënë popullin të betohej: "I mallkuar qoftë ai që do të prekë ushqim para mbrëmjes, para se të hakmerrem me armiqtë e mi". Tërë populli hyri në një pyll, ku kishte mjaltë për tokë. Me të hyrë populli në pyll, ai pa mjaltin që kullonte; por askush nuk e çoi dorën në gojë, sepse populli kishte frikë nga betimi që kishte bërë. Por Jonathani nuk e kishte dëgjuar atin e tij kur ai e kishte vënë popullin të betohej; prandaj zgjati majën e bastunit që kishte në dorë, e ngjeu në hojet e mjaltit dhe e çoi në gojë; kështu shikimi i tij u bë më i qartë.