1 i Samuelit 1:1-10
1 i Samuelit 1:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Ishte një herë një burrë prej Ramahut, një cofit nga malet e Efraimit, që quhej Elkanah. Ai ishte biri i Jerohamit, të birit të Elihuit, të birit të Tohuit, të birit të Cuf Efratitit. Elkanahu kishte dy gra. Njëra quhej Ana, tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, ndërsa Ana jo. Ky njeri nisej për vit nga qytetit i tij e shkonte në Shiloh për të adhuruar e për t'i kushtuar fli ZOTIT të ushtrive. Atje shërbenin si priftërinj të ZOTIT dy bijtë e Eliut, Hofniu e Finehasi. Kur kushtonte fli, Elkanahu u jepte nga një pjesë të flisë Peninës, gruas së tij, dhe tërë bijve e bijave të saj, ndërsa Anës i jepte vetëm një pjesë, sepse, edhe pse e donte, ZOTI e kishte lënë beronjë. Anën e mundonte edhe kundërshtarja e saj që e thumbonte për shkak se ZOTI e kishte lënë beronjë. Kështu ndodhte çdo vit. Sa herë që shkonte në shtëpinë e ZOTIT, kundërshtarja e thumbonte dhe ajo qante e nuk hante. Elkanahu, i shoqi, i thoshte: «Përse qan e nuk ha? Përse je e trishtuar? A nuk jam unë për ty më i mirë sesa dhjetë djem?». Një herë, pasi patën ngrënë e pirë në Shiloh, Ana u ngrit ndërsa prifti Eli rrinte ulur në ndenjëse, në të hyrë të tempullit të ZOTIT. Me shpirt të këputur, ajo iu lut ZOTIT e vajtoi me dënesë
1 i Samuelit 1:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Ishte një njeri nga Ramathaim-Tsofini, nga zona malore e Efraimit, që quhej Elkanah; ishte bir i Jerohamit, bir i Elihut, bir i Tohut dhe bir i Efraimitit Tsuf. Ai kishte dy gra: e para quhej Ana dhe tjetra Penina. Penina kishte fëmijë, kurse Ana nuk kishte. Çdo vit ky njeri nisej nga qyteti i tij për të adhuruar dhe për t'i ofruar flijime Zotit të ushtrive në Shiloh, ku gjendeshin dy bijtë e Efraimit, Hofni dhe Finehasi, priftërinj të Zotit. Kur i vinte dita Elkanahut të ofronte flijimin, ai kishte zakon t'u jepte pjesën që u takonte gruas së tij Penina dhe pjesët gjithë bijve dhe bijave të tij; por Anës i jepte një pjesë të dyfishtë, sepse e donte Anën, megjithëse Zoti ia kishte mbyllur barkun. Por shemra e saj e ngacmonte vazhdimisht për ta zemëruar, sepse Zoti ia kishte mbyllur barkun. Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më. Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?". Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit. Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë.