1 Pjetrit 5:1-11
1 Pjetrit 5:1-11 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
U lutem pleqve tuaj, unë që jam plak bashkë me ta, si dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit e pjesëtar i lavdisë që do të shfaqet: ruajeni grigjën e Perëndisë që ju është besuar dhe mbikëqyreni jo me detyrim, por vullnetarisht sipas dëshirës së Perëndisë, as për përfitim, por me dëshirë. Mos u sillni si sundues mbi ata që ju janë besuar, por bëhuni shembull për grigjën dhe kur të shfaqet Kryebariu do të merrni kurorën e lavdisë që nuk vyshket. Po ashtu edhe ju të rinj nënshtrojuni të moshuarve. Të gjithë bashkë shërbejini njëri-tjetrit me përulësi, sepse Perëndia u kundërvihet kryelartëve, ndërsa të përulurve u jep hir. Përuluni nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t'ju lartësojë në kohën e duhur. Gjithë shqetësimet tuaja lërini në dorë të tij dhe ai do të kujdeset për ju. Kini kujdes e rrini zgjuar! Kundërshtari juaj, djalli, sillet rrotull si luan i egërsuar duke kërkuar kë të përpijë. Kundërshtojeni duke qëndruar të fortë në besim. Duhet ta dini se të njëjtat vuajtje i heqin të gjithë vëllezërit tuaj nëpër botë. Perëndia i çdo hiri, që ju thirri për lavdinë e tij të amshuar përmes Krishtit Jezu, pasi të vuani për pak kohë, do t'ju përsosë, do t'ju forcojë, do t'ju mbështetë e do t'ju vendosë mbi themele të forta. Atij i qoftë pushteti, në shekuj të shekujve! Amen!
1 Pjetrit 5:1-11 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
U bëj thirrje pleqve që janë midis jush, unë që jam plak bashkë me ta dhe dëshmitar i vuajtjeve të Krishtit dhe që jam gjithashtu pjesëmarrës i lavdisë që ka për t'u zbuluar: ruani tufën e Perëndisë që është midis jush, duke e mbikëqyrur jo me detyrim, por me dëshirë, jo për përfitim të pandershëm, po me vullnet të mirë, dhe jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por duke u bërë shembull për tufën. Dhe kur të shfaqet kryebariu, do të merrni kurorën e lavdisë që nuk fishket. Gjithashtu ju, të rinjtë, nënshtrojuni pleqve. Po, nënshtrojuni të gjithë njëri-tjetrit dhe vishuni me përulje, sepse Perëndia i kundërshton krenarët, por u jep hir të përulurve. Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t'ju lartësojë në kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju. Jini të përmbajtur, rrini zgjuar; sepse kundërshtari juaj, djalli, sillet rreth e qark si një luan vrumbullues, duke kërkuar cilin mund të përpijë. Kundërshtojeni, duke qëndruar të patundur në besim, sepse e dini se të njëjtat vuajtje po i heqin vëllezërit tuaj të shpërndarë nëpër botë. Dhe Perëndia i çdo hiri, që ju thirri në lavdinë e tij të përjetshme në Krishtin Jezus, mbasi të keni vuajtur për pak kohë, do t'ju bëjë të përsosur ai vetë, do t'ju bëjë të patundur, do t'ju forcojë dhe do t'ju vërë themel. Atij i qoftë lavdia dhe pushteti për shekuj të shekujve. Amen.