1 Pjetrit 3:1-7
1 Pjetrit 3:1-7 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Edhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj! Kështu, edhe nëse disa nuk i binden fjalës së Perëndisë do të fitohen nga sjellja e grave të tyre pa ndihmën e fjalëve, kur të shohin sjelljen tuaj të pastër dhe me respekt. Stolia juaj të mos jetë nga ana e jashtme: flokët gërsheta, stolisja me ar apo veshja e rrobave të shtrenjta, por të jetë njeriu i brendshëm me zemër të pastër e me shpirt të butë e të qetë. Këto nuk prishen dhe janë shumë të çmueshme në sytë e Perëndisë. Sepse kështu stoliseshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë. Iu nënshtroheshin burrave, sikurse edhe Sara i bindej Abrahamit dhe e quante «imzot». Edhe ju jeni bija të saj, nëse bëni të mirën dhe nuk keni frikë nga asgjë. Po ashtu edhe ju, burra, jetoni me gratë tuaja, duke pasur parasysh se ato janë më të dobëta. Nderojini, sepse edhe ato do të trashëgojnë hirin e jetës bashkë me ju, në mënyrë që asgjë të mos pengojë lutjet tuaja.
1 Pjetrit 3:1-7 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Gjithashtu dhe ju, gra, nënshtrojuni burrave tuaj, që, edhe nëse disa nuk i binden fjalës, të fitohen pa fjalë, nga sjellja e grave të tyre, kur të shohin sjelljen tuaj të dëlirë dhe me frikë. Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshetimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë. Sepse kështu stoliseshin dikur gratë e shenjta që shpresonin në Perëndinë, duke iu nënshtruar burrave të tyre, ashtu si Sara, që i bindej Abrahamit duke e quajtur "zot"; bija të saj ju jeni, në qoftë se bëni mirë dhe nuk trembeni nga ndonjë frikë. Ju burra, gjithashtu, jetoni me gratë tuaja me urtësi, duke e çmuar gruan si një enë më delikate dhe e nderoni sepse janë bashkëtrashëgimtare me ju të hirit të jetës, që të mos pengohen lutjet tuaja.