Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 Pjetrit 2:1-17

1 Pjetrit 2:1-17 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Hidhni tej çdo lloj ligësie e çdo lloj mashtrimi, hipokrizie, smire apo përgojimi! Dëshironi qumështin e pastër shpirtëror si foshnja të sapolindura, që të rriteni drejt shpëtimit. Ju e keni shijuar se Zoti është i mirë. Afrohuni tek ai që është guri i gjallë, i cili u hodh poshtë nga njerëzit, por u zgjodh dhe u çmua nga Perëndia. Edhe ju si gurë të gjallë ndërtoni shtëpinë shpirtërore, ku do të shërbeni si priftëri e shenjtë duke kushtuar flijime shpirtërore që i pëlqejnë Perëndisë nëpërmjet Jezu Krishtit. Sepse Shkrimi thotë: unë zgjodha një gur të çmuar dhe e vura në Sion si gurin e qoshes. Kush beson në të nuk do të turpërohet. Për ju që besoni, ky gur është i çmueshëm, ndërsa për ata që nuk besojnë, guri që ndërtuesit e hodhën tej u bë guri i qoshes, guri që i rrëzon e shkëmbi që i pengon. Ata që rrëzohen nuk i binden fjalës dhe për këtë janë caktuar. Ndërsa ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull që Perëndia zgjodhi për të shpallur veprat e tij madhështore. Ai ju thirri nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme. Ju që dikur nuk ishit popull, tani jeni populli i Perëndisë. Ju që ishit të përjashtuar nga mëshira, tani u mëshiruat. Fort të dashur, meqenëse jeni shtegtarë dhe të përkohshëm, ju lutem të hiqni dorë nga kënaqësitë trupore që luftojnë kundër shpirtit. Sjellja juaj ndër kombet të jetë e mirë. Kështu, edhe nëse ata ju përflasin si keqbërës, kur të shohin veprat tuaja të mira do të përlëvdojnë Perëndinë në ditën e ardhjes së tij. Nënshtrojuni çdo pushteti njerëzor për hir të Zotit, qoftë mbretit, si sundimtarit më të lartë, qoftë qeveritarëve, si të dërguar nga Perëndia për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën. Vullneti i Perëndisë është që duke bërë të mirën, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë e mos e përdorni lirinë si mbulesë për ligësinë, por jetoni si shërbëtorë të Perëndisë. Nderojini të gjithë, duajini vëllezërit në besim, druani Perëndinë, nderoni mbretin.

1 Pjetrit 2:1-17 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje, posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij, nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë. Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë, edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit. Sepse në Shkrimet lexohet: ''Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak''. Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: ''Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen''. Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar. Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme; ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar. Shumë të dashur, unë ju këshilloj, si të huaj dhe shtegtarë, të hiqni dorë nga lakmitë e mishit, që luftojnë kundër shpirtit. Silluni mirë ndër johebrenjtë, që aty ku do t'ju paditin si keqbërës, të përlëvdojnë Perëndinë ditën e ardhjes së tij, për shkak të veprave tuaja të mira. Nënshtrohuni, pra, për hir të Zotit, çdo pushteti njerëzor, qoftë mbretit, si më të lartit, qoftë qeveritarëve, si të dërguar prej tij për të ndëshkuar keqbërësit dhe për të lavdëruar ata që bëjnë të mirën, sepse ky është vullneti i Perëndisë, që ju, duke bërë mirë, t'ia mbyllni gojën paditurisë së njerëzve të pamend. Silluni si njerëz të lirë, por jo duke përdorur lirinë si një pretekst për të mbuluar ligësinë, por si shërbëtorë të Perëndisë. Nderoni të gjithë, doni vëllazërinë, druani Perëndinë, nderoni mbretin.