Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 9:1-28

1 i Mbretërve 9:1-28 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kur Solomoni mbaroi ndërtimin e tempullit të ZOTIT, pallatin mbretëror dhe të gjitha ndërtesat që donte të bënte, ZOTI iu shfaq për herë të dytë, ashtu siç i ishte shfaqur në Gibeon, e i tha: «E dëgjova lutjen dhe përgjërimin që bëre para meje, e shenjtërova këtë tempull që ndërtove dhe aty vendosa emrin tim për amshim. Sytë e mi dhe zemra ime do të jenë përherë aty. Nëse ti ecën para meje siç eci ati yt, Davidi, me zemër të pastër e të drejtë, nëse zbaton gjithçka të kam urdhëruar e nëse mban rregullat e vendimet e mia, do ta bëj gjithmonë të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate në Izrael, siç i premtova Davidit, atit tënd, kur i thashë: “Nuk do t'ua heq pasardhësve të tu fronin e Izraelit”. Por nëse ju dhe bijtë tuaj më braktisni, nuk i mbani urdhërimet dhe rregullat që ju dhashë unë dhe shkoni pas perëndive të tjerë, duke u shërbyer e duke u përkulur para tyre, do ta zhduk Izraelin nga faqja e dheut që i kam dhënë. Edhe këtë tempull, që e shenjtërova për nder të emrit tim, do ta flak larg pranisë sime dhe Izraeli do të bëhet përrallë e tallje për të gjithë popujt. Të gjithë ata që do të kalojnë pranë këtij tempulli të madhërishëm, do të tmerrohen e të çuditur do të thonë: “Përse u soll kështu ZOTI me këtë vend e me këtë tempull?”. E do t'u përgjigjen: “Sepse ata e lanë ZOTIN, Perëndinë e tyre, që i nxori paraardhësit e tyre nga toka e Egjiptit, dhe shkuan pas perëndive të tjerë, u përkulën para tyre e u shërbyen. Prandaj ZOTI solli mbi ta këtë fatkeqësi”». Solomonit iu deshën njëzet vjet për t'i ndërtuar të dyja godinat e mëdha, tempullin e ZOTIT dhe pallatin mbretëror. Hirami, mbreti i Tirit, i kishte dërguar Solomonit drutë e cedrit, të qiparisit dhe të gjithë arin që i ishte dashur. Solomoni i dha Hiramit njëzet qytete në krahinën e Galilesë. Hirami erdhi nga Tiri për të parë qytetet që i kishte dhënë Solomoni, por nuk i pëlqyen. Ai i tha Solomonit: «Vëllai im, ç'qytete janë këto që më ke dhënë?». I quajti Krahina e Kabulit e kështu njihen ato edhe sot e kësaj dite. Hirami i dërgoi mbretit tre tonë e gjysmë ar. Këto ishin ndërtimet që mbreti Solomon urdhëroi të bëhen me punë të detyruar: tempulli i ZOTIT, pallati i vet mbretëror, Miloja, muret e Jerusalemit, Hacori, Megidoja dhe Gezeri. Faraoni, mbreti i Egjiptit, kishte sulmuar e pushtuar Gezerin, e kishte djegur dhe kananitët që banonin në të i kishte vrarë. Pastaj qytetin ia kishte dhënë si prikë vajzës së vet, gruas së Solomonit. Prandaj Solomoni e rindërtoi Gezerin. Ai rindërtoi edhe Bet Horonin e poshtëm, Baalatin dhe Tadmorin, në krahinën e shkretë të vendit, si edhe të gjitha qytetet ku Solomoni grumbullonte prodhimet, qytetet për karrocat e luftës dhe qytetet për kalorësinë. Ai përfundoi edhe gjithçka që dëshironte të ndërtonte në Jerusalem, në Liban dhe në të gjitha krahinat e mbretërisë së tij. Të gjithë ata që kishin mbetur prej amoritëve, hititëve, perizitëve, hivitëve dhe jebusitëve e që nuk i përkisnin popullit të Izraelit, si edhe parardhësit e tyre, që kishin mbetur ende në vend, ngaqë izraelitët nuk ia kishin dalë t'i shfarosnin, Solomoni i vuri të bënin punë të detyruar e kështu ndodh ende sot. Solomoni nuk i bëri skllevër pune izraelitët, por i caktoi luftëtarë, zyrtarë, prijës, krerë, komandantë dhe drejtues të karrocave dhe të kalorësisë së tij. Krerët e atyre që mbikëqyrnin punimet e Solomonit ishin pesëqind e pesëdhjetë. Ata ishin përgjegjës për punëtorët. Kur e bija e faraonit u largua nga qyteti i Davidit për të banuar në pallatin e ndërtuar për të, Solomoni ndërtoi Milonë. Solomoni kushtonte tri herë në vit fli shkrumbimi e paqtimi mbi altarin që kishte ndërtuar për ZOTIN, ku digjte edhe temjan para ZOTIT. Kështu, ndërtimi i tempullit përfundoi. Solomoni ndërtoi edhe një flotë në Ecjon Geber, që ndodhet pranë Ejlatit, në brigjet e detit të Kuq, në tokën e Edomit. Hirami i dërgoi Solomonit disa nga detarët e tij, që e njihnin mirë detin, për të punuar bashkë me shërbëtorët e Solomonit. Ata shkuan në Ofir dhe prej andej i sollën mbretit Solomon dymbëdhjetë tonë ar.

1 i Mbretërve 9:1-28 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Mbas përfundimit nga ana e Salomonit të ndërtimit të shtëpisë të Zotit, të pallatit mbretëror dhe të gjitha gjërave që Salomoni dëshironte dhe kishte ndërmend të bënte, Zoti iu shfaq një herë të dytë Salomonit, ashtu siç i qe shfaqur në Gabaon, dhe Zoti i tha: "Unë e përmbusha lutjen tënde dhe kërkesën që bëre para meje; kam shenjtëruar këtë tempull që ti ke ndërtuar për t'i vënë emrin tim përgjithnjë; aty do të jenë përgjithnjë sytë dhe zemra ime. Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, me ndershmëri zemre dhe me drejtësi, duke bërë tërë gjërat që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia, unë do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate mbi Izrael përgjithnjë, ashtu siç ia kisha premtuar Davidit, atit tënd, duke thënë: "Nuk të ka për të munguar kurrë një njeri për t'u ulur mbi fronin e Izraelit". Por në rast se ju ose bijtë tuaj do të largohen nga unë dhe nuk do të zbatoni urdhërimet dhe statutet e mia që kam vënë para jush dhe do të shkoni t'u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys para tyre, unë do ta zhduk Izraelin nga faqja e vendit që i kam dhënë dhe nuk do të jem i pranishëm në tempullin që kam shenjtëruar në emrin tim; kështu Izraeli do të bëhet gazi dhe tallja e tërë popujve. Dhe ky tempull, megjithëse kaq i madhërishëm, do të jetë një vend i shkretë; kushdo që do t'i kalojë afër do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë, dhe ka për të thënë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?". Atëherë do t'i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e tyre, që i nxori etërit e tyre nga vendi i Egjiptit dhe janë dhënë pas perëndive të tjera, janë përkulur para tyre dhe u kanë shërbyer; për këtë arsye Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"". Njëzet vjet pasi Salomoni kishte ndërtuar dy ndërtesat, shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror, (Hirami, mbret i Tiros, e kishte furnizuar Salomonin me gjithë drurin e cedrit dhe të qiparisit dhe me arin që dëshironte), mbreti Salomon i dha Hiramit njëzet qytete në vendin e Galilesë. Hirami erdhi nga Tiro për të parë qytetet që i kishte dhënë Salomoni, por nuk i pëlqyen; dhe tha: "Ç'qytete janë këto që më ke dhënë, o vëllai im?". Dhe i quajti "vendi i Kabulit", emër që përdoret edhe sot e kësaj dite. Pastaj Hirami i dërgoi mbretit njëqind e njëzet talente ari. Ky është raporti i punës së detyruar që mbreti Salomon rekrutoi për të ndërtuar shtëpinë e Zotit, shtëpinë e tij, Milon, muret e Jeruzalemit, Hatsorin, Megidon dhe Gezerin. (Faraoni, mbret i Egjiptit, kishte dalë dhe kishte pushtuar Gezerin, i kishte vënë flakën dhe kishte vrarë kanaanenjtë që banonin në qytete; pastaj ia kishte dhënë si prikë vajzës së tij, bashkëshortes së Salomonit). Pastaj Salomoni rindërtoi Gezerin, Beth-Horonin e poshtëm, Baalathin dhe Tadmorin në pjesën e shkretë të vendit, të gjitha qytetet e furnizimit që i përkisin Salomonit, qytetet për qerret e tij, qytetet për kalorësit e tij, të gjitha atë që i pëlqyen Salomonit të ndërtojë në Jeruzalem, në Liban dhe në tërë vendin ku sundonte. Tërë njerëzit që mbetën nga amorenjtë, hitenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë, që nuk ishin bij të Izraelit, domethënë pasardhësit e tyre që kishin mbetur pas tyre në vend dhe që izraelitët nuk kishin arritur t'i shfarosnin, Salomoni i rekrutoi për punë të detyruar deri në ditën e sotme. Por nga bijtë e Izraelit, Salomoni nuk përdori asnjë për punë të detyruar; ata ishin përkundrazi luftëtarët e tij, shërbëtorët e tij, ministrat e tij, princat e tij, kapedanët e tij, komandantët e qerreve dhe e kalorësve të tij. Shefat e nëpunësve që drejtonin punimet e Salmonit ishin pesëqind e pesëdhjetë veta; ata mbikëqyrnin njerëzit që kryenin punimet. Mbas kalimit të vajzës së Faraonit nga qyteti i Davidit në shtëpinë që Salomoni i kishte ndërtuar, ky u mor me ndërtimin e Milos. Tri herë në vit Salomoni ofronte holokauste dhe flijime falënderimi mbi altarin që kishte ndërtuar për Zotin dhe digjte temjan mbi altarin që ndodhej para Zotit. Kështu e mbaroi tempullin. Mbreti Salomon ndërtoi edhe një flotë në Etsion-Geber, në afërsi të Elathit, mbi bregun e Detit të Kuq, në vendin e Edomit. Hirami dërgoi mbi anijet e flotës shërbëtorët e tij, marinarë që e njihnin detin, me qëllim që të punonin me shërbëtorët e Salomonit. Ata shkuan në Ofir, ku morën katërqind e njëzet talente ari dhe ia sollën Salomonit.