1 i Mbretërve 7:1-51
1 i Mbretërve 7:1-51 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Solomoni ndërtoi edhe pallatin e tij mbretëror. Të gjitha ndërtesat e pallatit përfunduan pas trembëdhjetë vjetësh. Ai ndërtoi shtëpinë «Pylli i Libanit» që ishte pesëdhjetë metra e gjatë, njëzet e pesë metra e gjerë dhe pesëmbëdhjetë metra e lartë. Ndërtesa ishte mbi katër rreshta shtyllash cedri e mbi shtylla kishte trarë cedri. Edhe çatia ishte punuar me dru cedri. Ajo mbështetej mbi dyzet e pesë trarë të ndarë në tri rreshta me nga pesëmbëdhjetë trarë. Ndërtesa kishte tri radhë dritaresh me nga tri dritare që përkonin me njëra-tjetrën. Të gjitha dyert dhe shtalkat ishin katërkëndëshe, siç ishin edhe dritaret, që përkonin me njëra-tjetrën në tri radhë. Solomoni ndërtoi edhe Portikun e Shtyllave që ishte njëzet e pesë metra i gjatë dhe pesëmbëdhjetë metra i gjerë. Përpara portikut ndërtoi një treme me shtylla dhe me çati të dalë. Ndërtoi edhe Portikun e Fronit, ku Solomoni mbante gjyqet, prandaj quhej edhe Portiku i Gjyqit. Portiku ishte i veshur me dru cedri nga cepi në cep. Ndërtesa, ku banonte vetë mbreti, kishte një treme tjetër të brendshme, pas portikut, dhe ishte e ndërtuar në të njëjtën mënyrë. Solomoni ndërtoi një shtëpi më vete për bijën e faraonit që kishte marrë për grua. Kjo u ndërtua njësoj si portiku. Të gjitha këto ndërtesa ishin me gurë të zgjedhur, nga themelet në çati, deri në tremen e madhe. Gurët ishin të prerë sipas masës që duhej dhe të latuar brenda e jashtë. Themelet ishin ndërtuar me gurë të zgjedhur e të mëdhenj, katër ose pesë metra të gjatë. Mbi ta ishin vendosur gurë të zgjedhur e të latuar sipas masës dhe drurë cedri. Tremja e madhe kishte rreth e rrotull tri radhë gurësh të zgjedhur dhe një radhë trarësh cedri. Tremja i ngjante pjesës së brendshme të tremes së tempullit të ZOTIT dhe portikut të pallatit mbretëror. Solomoni dërgoi disa njerëz që të sillnin Hiramin nga Tiri, birin e një vejushe nga fisi i Neftaliut dhe të një tirasi. Hirami ishte mjeshtër bronzi dhe kishte aftësinë, zotësinë dhe mjeshtërinë për të bërë çdo lloj pune në bronz. Ai erdhi te mbreti Solomon dhe bëri të gjitha punët që i kërkoi mbreti. Hirami derdhi dy shtylla bronzi nga nëntë metra të larta dhe me perimetër gjashtë metra të gjera. Bëri edhe dy krytha me bronz të derdhur për t'i vënë mbi majat e shtyllave. Të dyja krythat ishin nga dy metra e gjysmë. Pastaj bëri për krythat, që ndodheshin në majë të shtyllave, nga shtatë rrjeta thurur me thekë të gërshetuar. Bëri edhe zbukurime me vargje shegësh, të cilat i vuri mbi rrjetat e thurura, për të mbuluar secilin nga dy krythat, që ndodheshin në majë të shtyllave. Krythat që ishin në majë të shtyllave të portikut kishin trajtën e zambakut dhe ishin nga dy metra të larta. Te krythat, që ndodheshin në majë të dy shtyllave, në pjesën e mysët afër rrjetave të thurura, ishin varur dyqind shegë në vargje, që rrethonin të dyja krythat. Hirami i vendosi shtyllat në portikun e tempullit. Njërën shtyllë e vuri djathtas dhe e quajti Jakin, ndërsa shtyllën tjetër e vuri majtas dhe e quajti Boaz. Në majë të shtyllave kishte punime zambaku. Kështu përfundoi ndërtimi i shtyllave. Hirami punoi edhe një det prej metali të shkrirë që kishte trajtë rrethore me gjerësi pesë metra nga buza në buzë. Thellësia e detit prej metali ishte dy metra e gjysmë, ndërsa perimetri i tij ishte pesëmbëdhjetë metra i gjatë. Nën buzët e detit të metaltë, përgjatë perimetrit, vareshin dy vargje kungujsh të derdhura njësh me detin, me nga njëzet kunguj për metër. Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë dema, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti mbështetej mbi kurrizin e demave që i kishin të pasmet të kthyera për nga brenda. Trashësia e detit ishte një pëllëmbë, ndërsa buzët e tij ishin si buzë kupe, në trajtë zambaku. Ai nxinte rreth tetëdhjetë mijë litra. Hirami punoi edhe dhjetë baza bronzi nga dy metra të gjata, nga dy metra të gjera dhe nga një metër e gjysmë të larta. Bazat ishin të ndërtuara me fletë bronzi që mbërtheheshin nëpër korniza. Mbi fletët e bronzit, që ishin të mbërthyera nëpër korniza, kishte zbukurime luanësh, qesh dhe kerubësh. Mbi korniza kishte një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve e qeve kishte zbukurime kurorash të varura. Çdo bazë kishte nga katër rrota bronzi, me boshte po prej bronzi, dhe katër këmbëza mbështetëse në të katër qoshet e poshtme të legenit që mbështetej mbi bazën. Këmbëzat ishin të derdhura e të zbukuruara me kurora. Në pjesën e sipërme të bazës kishte një grykë të rrumbullakët, të gjerë sa tri të katërtat e metrit e gjysmë metri të dalë. Gryka ishte zbukuruar me gdhendje, por fletët e saj anësore ishin katrore e jo të rrumbullakëta. Poshtë fletëve të bazës ishin katër rrotat dhe boshtet e tyre ishin mbërthyer te baza. Lartësia e çdo rrote ishte sa tri të katërtat e metrit. Këto ishin punuar si rrota qerresh dhe boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat i kishin të gjitha prej bronzi të derdhur. Katër mbështetëset, në katër qoshet e çdo baze në trajtë qerreje, ishin të shkrira njësh me bazën. Në pjesën e sipërme të çdo baze kishte një mbështetëse të rrumbullakët, të dalë sa një e katërta e metrit, mbajtëset dhe faqet e së cilës ishin një trup me bazën. Mbi faqet, kornizat dhe mbajtëset e saj ishin gdhendur kerubë, luanë e palma sipas hapësirave përkatëse, rreth e qark me vargje kurorash. Kështu i punoi Hirami të dhjeta bazat. Ato kishin të njëjtën derdhje, të njëjtat përmasa dhe të njëjtën trajtë. Hirami bëri edhe dhjetë legenë bronzi. Çdo legen nxinte rreth një mijë e gjashtëqind litra dhe ishte dy metra i lartë. Dhjetë legenët i vuri mbi dhjetë bazat në trajtë qerreje. Pesë baza i vendosi në anën e djathtë të tempullit e pesë në anën e majtë. Detin e vendosi në anën e djathtë të tempullit, në juglindje. Hirami punoi legenët, lopatëzat e kupat dhe kështu i mbaroi të gjitha punët që i kishte kërkuar mbreti Solomon për tempullin e ZOTIT. Ai bëri dy shtyllat me dalje të rrumbullakëta në majë, mbi të cilat u vendosën krythat, dhe dy rrjeta të thurura, për të mbuluar majën e shtyllave. Bëri edhe katërqind shegë për të dyja rrjetat e thurura. Secila rrjetë kishte nga dy rreshta shegësh, për të mbuluar daljet e rrumbullakëta për krythat, që ndodheshin mbi shtyllat. Punoi edhe dhjetë bazat për dhjetë legenët, që u vendosën mbi secilën bazë, detin me dymbëdhjetë qetë, që e mbartnin, rrethjet, lopatëzat dhe kupat. Të gjitha këto pajisje, që mbreti Solomon i kërkoi Hiramit për tempullin e ZOTIT, u punuan me bronz të pastër. Mbreti kishte urdhëruar që të gjitha pajisjet të derdheshin në tokën argjilore të luginës së Jordanit, midis Sukotit dhe Cartanit. Solomoni nuk i peshoi këto pajisje, sepse ishin aq shumë, sa nuk u llogaritej pesha. Solomoni bëri edhe të gjitha pajisjet e tjera për tempullin e ZOTIT: altarin prej ari, tryezën prej ari të paraqitjes së bukës, pesë shandanë prej ari të pastër në anën e djathtë dhe pesë shandanë prej ari të pastër në anën e majtë të hyrjes për në shenjtërore, gonxhet, llambat dhe mashat prej ari, legenët, thikat, kupat, rrethjet, mangallët prej ari të pastër, si edhe menteshat për dyert e shenjtërores së shenjtëroreve dhe për dyert e anijatës, po prej ari. Kështu, përfundoi e tërë puna e mbretit Solomon për ndërtimin e tempullit të ZOTIT. Solomoni i solli të gjitha sendet që kishte shenjtëruar për Zotin ati i tij, Davidi, argjendin dhe arin, e i vuri në thesarin e tempullit të ZOTIT.
1 i Mbretërve 7:1-51 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Por Salomonit iu deshën trembëdhjetë vjet për të ndërtuar shtëpinë e tij; kështu ai përfundoi tërë shtëpinë e tij. Ai ndërtoi shtëpinë e "Pyllit të Libanit", e gjatë njëqind kubitë, e gjerë pesëdhjetë e lartë tridhjetë; ajo mbështetej mbi katër radhë shtyllash cedri, mbi të cilat mbështeteshin trarët e cedrit. Një tavan prej cedri mbulonte dhomat që mbështeteshin mbi shtyllat, dhe që ishin gjithashtu dyzet e pesë, pesëmbëdhjetë për çdo radhë. Kishte tri radhë dritaresh, të kundërvëna njëra me tjetrën në tri plane të ndryshme. Të gjitha portat me shtalkat e tyre dhe arkitrarët e tyre ishin katërkëndëshe dhe dritaret i kundërviheshin njëra tjetrës në tre plane të ndryshme. Ai ndërtoi edhe portikun e shtyllave, i gjatë pesëdhjetë kubitë dhe i gjerë tridhjetë; në pjesën e përparme kishte një hajat, me shtylla dhe që ishte i mbuluar me çati. Pastaj ndërtoi portikun e fronit ku administronte drejtësinë, i quajtur "Portiku i gjykimit"; dhe e mbuloi me cedër nga dyshemeja në tavan. Shtëpia ku ai banonte, e ndërtuar në të njëjtën mënyrë, kishte përkundrazi një oborr tjetër në pjesën e brendshme të portikut. Salomoni bëri gjithashtu një shtëpi me një portik të ngjashëm me këtë për bijën e Faraonit, që kishte marrë për grua. Të gjitha ndërtimet ishin me gurë të zgjedhur, të prerë sipas masës me sharrë nga brenda dhe nga jashtë nga themelet deri në kornizat, dhe nga jashtë deri në oborrin më të madh. Edhe themelet ishin me gurë të zgjedhur, me gurë të mëdhenj, disa dhjetë kubitësh dhe të tjerë tetë kubitësh. Mbi to kishte gurë të zgjedhur, të prerë me masë, dhe dru cedri. Oborri i madh kishte rreth e qark tri radhë gurësh të latuar dhe një radhë trarësh prej cedri, ashtu si oborri i brendshëm i shtëpisë të Zotit dhe si portiku i tempullit. Mbreti Salomon solli nga Tiro Hiramin, birin e një të veje nga fisi i Neftalit; i ati ishte nga Tiro dhe punonte bronzin; ishte tërë dituri, zgjuarsi dhe shkathtësi për të kryer çdo punim bronzi. Ai vajti te mbreti Salomon dhe kreu të gjitha punimet që i caktuan. Derdhi dy shtylla prej bronzi. Secila kishte një lartësi prej tetëmbëdhjetë kubitësh dhe një rreth prej dymbëdhjetë kubitësh. Bëri edhe dy kapitele prej bronzi të derdhur për t'i vënë në majë të shtyllave; një kapitel ishte i lartë pesë kubitë dhe pesë kubitë ishte gjithashtu lartësia e kapitelit të dytë. Pastaj bëri një rrjetëz me kurora në formë të zinxhirësh për kapitelet që ishin në majë të shtyllave, shtatë për një kapitel dhe shtatë për kapitelin tjetër. Kështu bëri shtyllat e dy radhëve të shegës rreth e qark rrjetëzës, për të mbuluar kapitelet që ishin në majën e shtyllave; bëri të njëjtën gjë për secilin nga kapitelet. Kapitelet që ishin në majë të shtyllave në portik kishin formën e zambakut dhe qenë katër kubitësh. Përveç kësaj mbi kapitelet në majë të të dy kolonave, mbi pjesën e mysët afër rrjetëzës, kishte dyqind shegë të vëna me radhë rreth e qark. Pastaj vendosi shtyllat në portikun e tempullit; vendosi shtyllën në të djathtë dhe e quajti Jakin, pastaj vendosi shtyllën në të majtë dhe e quajti Boaz. Në majë të shtyllave kishte një punim në formë zambaku. Kështu mbaroi punimi i shtyllave. Pastaj bëri detin me metal të shkrirë, në formë rrethore, që nga një buzë në buzën tjetër kishte një gjatësi prej dhjetë kubitësh; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi ishte tridhjetë kubitë. Nën buzë dhe rreth e qark detit kishte kolokuintide zbukuruese, dhjetë në çdo kubit; kolokuintidet zbukuruese ishin vendosur në dy radhë dhe ishin bërë me derdhje. Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja; deti ishte vënë mbi ta dhe pjesët e tyre të prapme ishin të kthyera nga brenda. Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte si buza e një kupe, si lulja e një zambaku: ai përmbante dy mijë bate. Bëri gjithashtu dhjetë qerrëza prej bronzi, secila e gjatë katër kubitë, e gjerë katër kubitë dhe e lartë tre kubitë. Qerrëzat ishin ndërtuar si vijon: kishin panele anësore dhe këto mbylleshin me anë të kornizave. Mbi panelet, që ishin midis kornizave, ishin përfytyruar luanë, qe dhe kerubinë. Mbi kornizat mbështetej një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve dhe qeve kishte kurora në formë vargjesh zbukurues. Çdo qerre e vogël kishte katër rrota prej bronzi me boshtet gjithashtu prej bronzi; katër këmbët e tyre kishin disa spaleta poshtë vazos, dhe spaletat ishin bërë me derdhje, me kurora në anët e secilës prej tyre. Hapja e saj, në pjesën e brendshme të kurorës dhe në pjesën e saj të lartë, ishte e rrumbullakët; ishte e thellë një kubit, kishte formën e një piedestali dhe një diametër prej një kubit e gjysmë; edhe rreth hapjes kishte skulptura, por panelet ishin katrorë dhe jo të rrumbullakët. Katër rrotat ishin nën panelet dhe boshtet e rrotave ishin fiksuar në bazë. Lartësia e çdo rrote ishte një kubit e gjysmë. Punimi i rrotave ishte si ai i një qerreje. Boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat ishin të gjitha prej bronzi të derdhur. Në të katër qoshet e çdo qerreje kishte katër spaleta, që përbënin një të tërë me vetë qerren. Në majë të qerres kishte një mbajtëse të rrumbullakët, e cila ishte gjysmë kubit e lartë; dhe në majë të qerres, kornizat dhe panelet e saj përbënin një tërësi me të. Mbi sipërfaqen e kornizave dhe të paneleve të saj, Hirami gdhendi kerubinë, luanë dhe palma, sipas hapësirave të lira, dhe kurora rreth e qark. Kështu ai veproi me të dhjetë qerret, që u derdhën të gjitha njëlloj me po ato madhësi dhe po atë formë. Pastaj përgatiti dhjetë enë prej bronzi, secila prej tyre përmbante dyzet bate dhe ishte katër kubitësh; dhe çdo enë mbështetej mbi njërën nga dhjetë qerret. Ai i vendosi qerret pesë nga ana e djathtë e tempullit dhe pesë nga ana e majtë e tij, dhe e vuri detin në krahun e djathtë të tempullit, nga ana jug-lindore. Hirami bëri enët, lopatëzat dhe kupat. Kështu Hirami përfundoi çdo punë që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Zotit: dy shtylla, dy kapitele me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëza për të mbuluar dy kapitele me vazo në majë të shtyllave, katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave), dhjetë qerrëza, dhjetë enë mbi qerret, deti, një i vetëm, dhe dymbëdhjetë qe poshtë detit, vazot, lopatëzat, enët. Të gjitha këto vegla, që Salomoni vuri Hiramin t'i bëjë për shtëpinë e Zotit, ishin prej bronzi të lëmuar. Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tsarethanit. Salomoni nuk u kujdes t'i peshojë tërë këto vegla, sepse ishin shumë; pesha e bronzit nuk u përcaktua. Salomoni bëri që të prodhohen tërë orenditë e shtëpisë të Zotit: altari prej ari, tryeza prej ari mbi të cilën viheshin bukët e paraqitjes; shandanët prej ari të kulluar, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë përpara vendit shumë të shenjtë, me lulet, me llambat dhe me gërshërët prej ari; kupat, thikat, vazot e mëdha, lugët dhe mangallet prej ari të kulluar; dhe menteshat prej ari të portave të shtëpisë së brendshme (domethënë të vendit shumë të shenjtë) dhe portat në hyrje të vetë tempullit. Kështu përfundoi tërë puna që mbreti Salomon kishte bërë për shtëpinë e Zotit. Pastaj Salomoni solli argjendin, arin dhe veglat, të cilat i kishte shenjtëruar Davidi, ati i tij, dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë të Zotit.