Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Mbretërve 16:1-34

1 i Mbretërve 16:1-34 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Atëherë ZOTI i foli Jehut, birit të Hananiut, për t'i thënë Bashait këto fjalë: «Unë të ngrita nga pluhuri dhe të bëra sundues të popullit tim, Izraelit. Por ti u solle njëlloj si Jeroboami, e shtyve popullin tim, Izraelin, në mëkat dhe ndeze kështu zemërimin tim për mëkatet e tyre. Prandaj do të të shfaros ty dhe shtëpinë tënde e do të veproj me të si veprova me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit. Njerëzit e shtëpisë së Bashait që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë dhe shpendët e qiellit do të hanë ata që do të vdesin në arë». Bëmat e tjera të Bashait, veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Bashai u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Tircah. Pas tij mbretëroi i biri, Elahu. ZOTI kishte folur kundër Bashait e shtëpisë së tij përmes profetit Jeh, birit të Hananiut, për shkak të ligësisë që kishte bërë Bashai në sytë e ZOTIT, duke ndezur zemërimin e Zotit me veprimet e tij, njëlloj si shtëpia e Jeroboamit, dhe për shkak të shfarosjes së familjes së Jeroboamit. Në vitin e njëzet e gjashtë të mbretërimit të Asait në Judë, Elahu, biri i Bashait, u bë mbreti i Izraelit dhe mbretëroi në Tircah për dy vjet. Zimriu, shërbëtori i Elahut dhe kreu ushtarak i gjysmës së karrocave të luftës, u ngrit kundër mbretit. Një herë, kur mbreti Elah ndodhej në Tircah dhe kishte pirë sa ishte dehur, në shtëpinë e Arcait, mbikëqyrësit të pallatit mbretëror të Tircahut, Zimriu shkoi dhe e goditi për vdekje në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës. Pas Elahut mbret u bë Zimriu. Me t'u bërë mbret e me të hipur në fron, Zimriu shfarosi të gjithë familjen e Bashait dhe nuk la gjallë asnjë nga meshkujt, të afërmit apo miqtë e familjes. Zimriu e shfarosi krejt shtëpinë e Bashait, sipas fjalës që kishte thënë ZOTI për të përmes profetit Jeh. Shkak ishin mëkatet e Bashait dhe birit të tij, Elahut, të cilët jo vetëm mëkatuan vetë, por shtynë në mëkat edhe Izraelin, duke ndezur zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit, me idhujt e tyre të kotë. Bëmat e tjera të Elahut dhe të gjitha veprat e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Në vitin e njëzet e shtatë të mbretërimit të Asait, mbretit të Judës, Zimriu u bë mbret i Izraelit dhe mbretëroi për shtatë ditë në Tircah. Asokohe, ushtria kishte rrethuar Gibetonin, qytetin filistin. Kur dëgjuan se Zimriu kishte dalë kundër mbretit dhe e kishte vrarë, ushtarët e shpallën Omriun, kreun e ushtrisë, mbret të Izraelit që atë ditë në fushim. Atëherë Omriu dhe të gjithë izraelitët që ishin me të, marshuan nga Gibetoni në Tircah dhe e rrethuan. Kur pa se qyteti po pushtohej, Zimriu hyri në pallatin mbretëror e i vuri zjarrin, duke u djegur edhe vetë brenda. Ai vdiq për shkak të mëkateve dhe të ligësisë që kishte bërë në sytë e ZOTIT, duke u sjellë si Jeroboami, i cili mëkatoi vetë dhe shtyu edhe Izraelin në mëkat. Bëmat e tjera të Zimriut dhe kryengritja që bëri janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Pas këtyre ndodhive, populli i Izraelit ishte i ndarë më dysh. Gjysma e popullit donte për mbret Tibniun, birin e Ginatit, ndërsa gjysma tjetër donte Omriun. Pjesa e popullit që përkrahte Omriun pati epërsi ndaj atyre që donin Tibniun, birin e Ginatit. Tibniu vdiq e mbret u bë Omriu. Në vitin e tridhjetëenjëtë të mbretërimit të Asait në Judë, Omriu u bë mbreti i Izraelit. Ai mbretëroi dymbëdhjetë vjet në Izrael. Për gjashtë vjet mbretëroi nga Tircahu. Më pas Omriu bleu prej Shemerit malin e Samarisë për gjashtë mijë monedha argjendi e mbi të ndërtoi një qytet, të cilin e quajti Samari, sipas emrit të Shemerit, të zotit të malit të Samarisë. Omriu bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe u soll edhe më keq se të gjithë paraardhësit e tij. Ai u soll njëlloj si Jeroboami, biri i Nebatit, bëri të njëjtat mëkate si ai, e shtyu Izraelin në mëkat, e me idhujt e tyre të kotë ndezi zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit. Bëmat e tjera të Omriut, veprat dhe trimëritë e tij gjenden të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Omriu u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari. Pas tij mbretëroi i biri, Ahabi. Në vitin e tridhjetë e tetë të mbretërimit të Asait në Judë, Ahabi, biri i Omriut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi mbi Izraelin nga Samaria për njëzet e dy vjet. Ahabi, biri i Omriut, bëri çka është keq në sytë e ZOTIT më shumë se të gjithë paraardhësit e tij. Si të mos mjaftonte sjellja e tij mëkatare, si Jeroboami, biri i Nebatit, Ahabi u martua me Izebelën, bijën e Etbaalit, mbretit të sidonasve, dhe filloi t'i shërbente Baalit e të përkulej para tij. Ai i bëri një altar Baalit brenda tempullit që i kishte ndërtuar në Samari dhe ndërtoi edhe një shtyllë të Asherasë. Sjellja e tij e ndezi zemërimin e ZOTIT, Perëndisë së Izraelit, shumë më tepër se të gjithë paraardhësit e tij. Gjatë sundimit të Ahabit, Hieli nga Beteli rindërtoi Jerikonë. Ai i hodhi themelet mbi Abiramin, djalin e tij të parëlindur, dhe i ngriti portat mbi birin e tij, Segubin, ashtu siç kishte thënë ZOTI përmes Jozuehut, birit të Nunit.

1 i Mbretërve 16:1-34 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj fjala e Zotit iu drejtua Jehuhit, birit të Hananit, kundër Baashas, duke thënë: "Të kam ngritur nga pluhuri dhe të kam bërë princ të popullit tim Izraelit, por ti ke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe ke bërë të mëkatojë popullin tim të Izraelit, duke provokuar zemërimin tim me mëkatet e tij; prandaj do të zhduk Baashan dhe shtëpinë e tij dhe do ta bëj me shtëpinë tënde atë që kam bërë me shtëpinë e Jeroboamit, birit të Nebatit. Ata të Baashas që do të vdesin në qytet do t'i hanë qentë, dhe ata që do të vdesin në ara do t'i hanë shpendët e qiellit". Pjesa tjetër e bëmave dhe të trimërive a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Pastaj Baashan e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Tirtsah. Në vend të tij mbretëroi i biri, Elahu. Përveç kësaj fjala e Zotit iu drejtua me anë të profetit Jehu, birit të Hananit, kundër Baashas dhe kundër shtëpisë së tij për gjithë të këqijat që Baasha kishte bërë në sytë e Zotit, duke shkaktuar zemërimin e tij me veprat e kryera nga dora e tij, duke u bërë si shtëpia e Jeroboamit, edhe sepse e kishte vrarë atë. Në vitin e njëzet e gjashtë të Asas, mbretit të Judës, Elahu, bir i Baashas, filloi të mbretëroj mbi Izraelin në Tirtsah dhe qëndroi në fron dy vjet. Zimri, shërbëtori i tij, komandant i gjysmës së qerreve të tij, komplotoi kundër tij. Ndërsa ai ndodhej në Tirtsah, duke pirë dhe duke u dehur në shtëpinë e Artsas, prefektit të pallatit të Tirtsahut, Zimri hyri, e goditi dhe e vrau në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij. Kur filloi të mbretërojë, sapo u ul në fron, shkatërroi tërë shtëpinë e Baashas; nuk la të gjallë as edhe një mashkull midis kushërinjve të afërt të tij dhe miqve. Kështu Zimri shfarosi tërë shtëpinë e Baashas, sipas fjalës së Zotit të drejtuar kundër Baashas me anë të profetit Jehu, për shkak të mëkateve të Baashas dhe të mëkateve të birit të tij Elah, që ata vetë kishin kryer dhe që kishin bërë t'i kryente Izraeli, duke nxitur zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tyre. Pjesa tjetër e bëmave të Elahut dhe tërë atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Në vitin e njëzet e shtatë të Asas, mbretit të Judës, Zimri mbretëroi shtatë ditë në Tirtsah. Populli kishte fushuar kundër Gibethonit, që u përkiste filistenjve. Kështu populli që kishte ngritur kampin dëgjoi të thuhet: "Zimri ka komplotuar, madje ka vrarë mbretin!". Po atë ditë në kamp tërë Izraeli bëri mbret të Izraelit, Omrin, komandantin e ushtrisë. Pastaj Omri u nis nga Gibethoni dhe rrethoi Tirtsahun. Kur Zimri pa që qyteti ishte pushtuar, u tërhoq në kullën e pallatit mbretëror, i vuri zjarrin pallatit mbretëror që ndodhej mbi të dhe kështu vdiq, për shkak të mëkateve që kishte kryer, duke bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur rrugën e Jeroboamit dhe duke kryer mëkatin që ky kishte bërë duke e nxitur Izraelin të mëkatojë. Pjesa tjetër e bëmave të Zimrit dhe komploti që ai thuri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Atëherë populli i Izraelit u nda në dy pjesë: gjysma e popullit shkonte pas Tibnit, birit të Ginathit, për ta bërë mbret; gjysma tjetër shkonte pas Omrit. Por populli që shkonte pas Omrit pati epërsi mbi popullin që ndiqte Tibnin, birin e Ginathit. Tibni vdiq dhe mbretëroi Omri. Në vitin e tridhjetenjëtë të Asas, mbretit të Judës, Omri filloi të mbretërojë mbi Izraelin dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet. Gjashtë vjet mbretëroi në Tirtsah, pastaj bleu nga Shemeri malin e Samarisë për dy talenta argjendi; ndërtoi në mal një qytetet të cilin e quajti Samaria, nga emri i Shemerit, zotëria i malit. Omri bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit dhe u soll më keq se të gjithë paraardhësit e tij; ndoqi tërësisht rrugën e Jeroboamit, birit të Nebatit, dhe mëkatet që ky kishte detyruar Izraelin t'i kryejë, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, me idhujt e tij. Pjesa tjetër e bëmave të kryera nga Omri dhe trimëritë e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Pastaj Omrin e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashabi. Ashabi, bir i Omrit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në vitin e tridhjetë e tetë të Asas, mbretit të Judës; dhe Ashabi, bir i Omrit, mbretëroi në Samari mbi Izraelin njëzet e dy vjet. Ashabi, bir i Omrit bëri ato gjëra që shihen me sy të keq nga Zoti më tepër se ata që e kishin paraprirë. Përveç kësaj, sikur të ishte për të një gjë e vogël ndjekja e mëkateve të Jeroboamit; birit të Nebatit mori për grua Jezebelën, bijën e Ethbaalit, mbretit të sidonitëve, dhe shkoi t'i shërbejë Baalit dhe të bjerë përmbys para tij. I ngriti pastaj një altar Baalit, në tempullin e Baalit, që kishte ndërtuar në Samari. Ashabi bëri edhe një Asherah; Ashabi provokoi zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit, më tepër se gjithë etërit e Izraelit që e kishin paraprirë. Gjatë ditëve të sundimit të tij, Hieli nga Betheli rindërtoi Jerikon; hodhi themelet e tij mbi Abiramin, të parëlindurin e tij, dhe ngriti portat mbi Segubin, më të riun nga bijtë e tij, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të Jozueut, birit të Nunit.