1 Gjonit 3:11-24
1 Gjonit 3:11-24 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kjo është porosia që keni dëgjuar që nga fillimi: ta duam njëri-tjetrin, jo si Kaini, që ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe përse e vrau? Ngaqë veprat e tij ishin të liga, ndërsa veprat e vëllait të tij ishin të drejta. Mos u habisni, vëllezër, nëse bota ju urren! Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit. Ai që nuk ka dashuri mbetet në vdekje. Kush urren vëllanë është njeri-vrasës dhe ju e dini se asnjë njeri-vrasës nuk ka më jetë të amshuar. Ja si e njohëm dashurinë: Jezu Krishti dha jetën e tij për ne, prandaj edhe ne duhet të japim jetën për vëllezërit tanë. Nëse dikush që ka të mirat e kësaj bote shikon vëllanë e vet në nevojë, por e ngurtëson zemrën ndaj tij, si mund të qëndrojë në të dashuria e Perëndisë? Bijtë e mi, të mos duam me fjalë a me gojë, por me vepra dhe me të vërtetë. Ja si do ta dimë se jemi nga e vërteta dhe zemra jonë do të ketë siguri para Perëndisë: edhe nëse zemra na padit, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh gjithçka. Fort të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë dhe do të marrim prej tij ç'të kërkojmë, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që i pëlqejnë atij. Urdhërimi i tij është t'i besojmë emrit të Birit të tij Jezu Krisht dhe të duam njëri-tjetrin siç na urdhëroi ai. Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Nga kjo gjë ne dimë se Perëndia qëndron në ne: nga Shpirti që na dha.
1 Gjonit 3:11-24 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njëri-tjetrin, jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arsye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta. Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren. Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje. Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete. Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit. Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë? Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë. Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t'i bindim zemrat tona para atij; sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë. Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë; dhe ç'të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij. Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njëri-tjetrin si na urdhëroi ai. Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dimë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.