1 e Korintasve 3:1-9
1 e Korintasve 3:1-9 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Unë, o vëllezër, nuk munda të flas me ju si me njerëz që kanë Shpirtin e Perëndisë, por si me njerëz të kësaj bote, si me foshnja në besimin e Krishtit. Ju ushqeva me qumësht dhe jo me ushqim të fortë, sepse nuk mund ta përtypnit. Por edhe tani nuk mundni, sepse jeni ende njerëz të kësaj bote. Nëse keni smirë e grindje mes jush, a nuk tregoni se jeni të kësaj bote dhe jetoni si të gjithë njerëzit? Kur njëri thotë: «Unë jam i Palit» dhe tjetri: «Unë jam i Apolit», a nuk jeni si të gjithë njerëzit e tjerë? Kush është Apoli dhe kush është Pali? Janë vetëm shërbëtorë, nëpërmjet të cilëve besuat dhe që veprojnë, secili sipas fuqisë që i dha Zoti. Unë mbolla farën, Apoli e ujiti, por Perëndia e rriti. Kështu, nuk kanë rëndësi as ai që mbjell e as ai që ujit, por Perëndia që rrit. Ai që mbjell dhe ai që ujit, janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin sipas mundit. Sepse ne jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë, ndërsa ju jeni ara dhe ndërtesa e tij.
1 e Korintasve 3:1-9 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Dhe unë, o vëllezër, nuk munda t'ju flas si njerëz frymëror, por ju fola si njerëz të mishit, si foshnja në Krisht. Ju dhashë qumësht për të pirë dhe nuk ju dhashë ushqim të fortë, sepse nuk ishit në gjendje ta asimilonit, madje edhe tani jo, sepse jeni akoma të mishit; në fakt sepse midis jush ka smirë, grindje e përçarje a nuk jeni të mishit dhe a nuk ecni sipas mënyrës së njerëzve? Sepse, kur dikush thotë: ''Unë jam i Palit'', dhe një tjetër: ''Unë jam i Apolit'', a nuk jeni ju të mishit? Kush është, pra, Pali dhe kush është Apoli, veçse shërbëtor me anë të të cilëve ju besuat, edhe ashtu si Zoti i dha gjithsecilit? Unë mbolla, Apoli ujiti, po Perëndia i bëri të rriten. Kështu, pra, as ai që mbjell, as ai që ujit, nuk është gjë, por Perëndia që rrit. Por ai që mbjell dhe ai që ujit janë një, dhe secili do të marrë shpërblimin e vet sipas mundit të tij. Ne, pra, jemi bashkëpunëtorë të Perëndisë; ju jeni ara e Perëndisë, ndërtesa e Perëndisë.