Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Kronikave 13:1-14

1 i Kronikave 13:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Davidi u këshillua me prijësit e të njëmijëve, të njëqindëve e me secilin udhëheqës. Atëherë Davidi i tha mbarë bashkësisë së Izraelit: «Nëse ju duket gjë e mirë e nëse vjen prej ZOTIT, Perëndisë tonë, le të shpërndajmë e të dërgojmë lajmëtarë te vëllezërit tanë të mbetur në të gjitha trojet e Izraelit, si edhe te priftërinjtë e te levitët, që gjenden në qytetet me kullota, që të mblidhen te ne. Le ta kthejmë te ne arkën e Perëndisë tonë, sepse nuk e kërkuam në kohën e Saulit». Mbarë bashkësia pranoi të veprohej ashtu, sepse mbarë popullit iu duk e drejtë. Davidi mblodhi mbarë Izraelin, nga Nili i Egjiptit deri në Lebo Hamat, për ta sjellë arkën e Perëndisë nga Kirjat Jearimi. Davidi e mbarë Izraeli u ngjitën në Baalah, domethënë në Kirjat Jearim të Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë që quhet ZOTI ulur mbi kerubë. Ata e mbartën arkën e Perëndisë në një karrocë të re nga shtëpia e Abinadabit. Karrocën e ngisnin Uzai e Ahioi. Davidi e mbarë Izraeli ngazëlleheshin fort para Perëndisë, me këngë, qeste, harpa, dajre, cimbale e bori. Kur arritën te lëmi i Kidonit, Uzai zgjati dorën për të kapur arkën, sepse qetë gati u rrëzuan. Mirëpo kundër Uzait u ndez zemërimi i Perëndisë dhe e goditi, sepse kishte vënë dorë në arkë. Prandaj vdiq në vend para Perëndisë. Davidi u zemërua pse ZOTI e goditi Uzain, prandaj e quajti atë vend Perec Uzah. Ai vend quhet Perec Uzah edhe sot e kësaj dite. Atë ditë Davidi e pati frikë Perëndinë e tha: «Si mund ta sjell pranë vetes arkën e Perëndisë?». Prandaj nuk e mori me vete arkën në Qytetin e Davidit, por e vendosi në shtëpinë e Obed Edomit, gititit. Arka e Perëndisë ndenji tre muaj me shtëpinë e Obed Edomit, në shtëpinë e tij. ZOTI e bekoi shtëpinë e Obed Edomit me gjithçka kishte.

1 i Kronikave 13:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Davidi u këshillua me komandantët e mijësheve e dhe të qindësheve dhe me të gjithë princat. Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë së Izraelit: "Në qoftë se kjo ju duket e mirë dhe në se na vjen nga Zoti, Perëndia ynë, t'u çojmë fjalë vëllezërve tanë që kanë mbetur në të gjitha krahinat e Izraelit, dhe me ta edhe priftërinjve dhe levitëve në qytetet e tyre dhe tokat për kullotë të mblidhen pranë nesh, dhe ta sjellim përsëri arkën e Perëndisë tonë te ne, sepse nuk e kemi kërkuar në kohën e Saulit". Tërë asambleja pranoi të vepronte kështu, sepse kjo gjë dukej e drejtë në sytë e tërë popullit. Atëherë mblodhi tërë Izraelin nga Shihori i Egjiptit, deri në hyrje të Hamathit, për ta sjellë përsëri arkën e Perëndisë nga Kiriath-Jearimi. Pastaj Davidi me tërë Izraelin u nis në drejtim të Baalahut, domethënë në drejtim të Kirjath-Jearimit që ishte pronë e Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë, të Zotit, që rri mbi kerubinët, ku përmendet emri i tij. Nga shtëpia e Abinadabit e transportuan arkën e Perëndisë mbi një qerre të re. Uza dhe Ahio e ngisnin qerren. Davidi dhe tërë Izraeli e kremtonin këtë ngjarje përpara Perëndisë me tërë forcat e tyre, me këngë dhe qeste, me harpe, dajre, cembale dhe bori. Kur arritën në lëmin e Kidonit, Uza shtriu dorën për të mbajtur arkën, sepse qetë ishin penguar. Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Uzës dhe e goditi, sepse kishte shtrirë dorën e tij mbi arkë; ai vdiq atje përpara Perëndisë. Davidi u hidhërua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull duke goditur Uzën. Prandaj ky vend quhet edhe sot e Çara e Uzës. Atë ditë Davidi pati frikë nga Perëndia dhe tha: "Si mund ta transportoj arkën e Perëndisë në shtëpinë time?". Kështu Davidi nuk deshi ta kishte arkën pranë vetes në qytetin e Davidit, por e kaloi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi. Arka e Perëndisë mbeti tre muaj pranë familjes së Obed-Edomit në shtëpinë e saj; dhe Zoti bekoi shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithçka që ishte pronë e tij.