«Mjerë qyteti i ndyrë,
kryengritës e shtypës.
Askënd nuk dëgjon
e qortim nuk pranon.
Në ZOTIN s'ka besim,
Perëndisë së vet nuk iu afrua.
Princat mes tij
ulërijnë porsi luanët.
Gjyqtarët e tij si dhelprat e mbrëmjes,
s'lënë gjë për mëngjes.
Profetët e tij kokëkrisur,
njerëz dinakë janë ata.
Priftërinjtë e tij ndyjnë shenjtëroren,
ligjin dhunojnë.
Por, ZOTI, mes tij, është i drejtë
e nuk bën padrejtësi.
Mëngjes për mëngjes nxjerr në dritë gjykimin e tij
e kurrë nuk do të mungojë,
por i mbrapshti nuk ka turp!
I zhbiva kombet,
pirgjet e tyre u rrënuan.
I shkretova udhët e tyre,
askush s'kalon më në to.
I rrafshova qytetet e tyre,
askush s'banon më në to.
Thashë: “Tani, vërtet, do të më druash,
qortimin do ta pranosh,
që banesa jote të mos zhbihet,
siç urdhërova kundër teje”.
Por, ja, shpejt u shthurën
në çdo gjë që bëjnë.
Ndaj, pritmëni, kumton ZOTI,
pritni ditën kur të ngrihem si paditës.
Vendosa t'i mbledh kombet tok,
mbretëritë t'i bëj bashkë,
që të derdh mbi ta zemërimin tim,
tërë hidhërimin tim të flaktë,
se në zjarrin e zellit tim
mbarë toka do të përpihet.