Ngazëllohu fort, o bija e Sionit,
brohorit, o bija e Jerusalemit,
se ja, mbreti yt, po vjen.
I drejtë e ngadhënjimtar është ai,
i përvuajtur, hipur mbi gomar,
mbi kërriçin e një gomarice.
Nga Efraimi do të zhdukë koçinë,
kalin nga Jerusalemi.
Harku i luftës do të thyhet,
fjalë paqeje kombeve do t'u çojë,
sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det.
Sa për ty, në saje të gjakut të besëlidhjes sate,
do t'i nxjerr të burgosurit prej puseve pa ujë.
Kthehuni në fortesë, ju të burgosurit shpresëtarë,
sot po e shpall se dyfish do të ta shpërblej.
Judën do ta ndeh si harkun,
Efraimin do ta vë porsi shtizë.
Do t'i nguc bijtë e tu, o Sion,
kundër bijve të tu, o Javan,
si shpatën e trimit do të të bëj.
ZOTI do të shfaqet mbi ta,
shigjetën e vet do ta vetëtijë.
ZOTI, Zoti im, borinë do ta buçasë,
përmes furtunës ai do të marshojë.
ZOTI i ushtrive do t'i mbrojë,
e gurëhedhësit do t'i përpijnë,
ata do t'i nënshtrojnë.
Do të pinë e tërbohen si prej verës,
mbushur plot si kovat e flijimit,
porsi brirët e altarit.
Atë ditë do t'i shpëtojë,
ZOTI, Perëndia i tyre,
se janë tufa e popullit të tij.
Porsi gurët e çmuar të kurorës
do të vezullojnë në tokën e tij.
Ç'bukuri, ç'hijeshi!
gruri i rrit djelmoshat,
vera i përtërin vashat».