Atëherë më dëftoi kryepriftin Jozueh. Ai po qëndronte para engjëllit të ZOTIT e në të djathtë kishte Satanin që po e padiste. Engjëlli i tha Satanit: «ZOTI të qortoftë, o Satan! Të qortoftë ZOTI, ai që ka zgjedhur Jerusalemin! A nuk është ky si kërcuri që i shpëtoi zjarrit?». Ndërkohë Jozuehu po qëndronte para engjëllit, i veshur me rroba të fëlliqura. Engjëlli u tha atyre që po qëndronin para tij: «Hiqjani rrobat e fëlliqura!». Pastaj i tha Jozuehut: «Ja, ta hoqa fajin e po të vesh me rroba të denja». Ai tha: «Vërini mbi krye një fes të pastër». Ata i vunë mbi krye një fes të pastër dhe e veshën, ndërkohë që engjëlli i ZOTIT po qëndronte më këmbë. Atëherë engjëlli i ZOTIT e porositi Jozuehun: «Kështu thotë ZOTI i ushtrive: “Nëse ecën udhës sime e i mban urdhërimet e mia, do të gjykosh shtëpinë time e do të kujdesesh për oborrin tim. Do të të lejoj të shkosh e të vish mes këtyre që po qëndrojnë këtu. Dëgjo, o kryeprifti Jozueh, ti dhe bashkëpunëtorët e tu që qëndrojnë para teje, se ju jeni oguri që unë po sjell shërbëtorin tim, pinjollin. Ja, guri që vendosa para Jozuehut, një gur i vetëm me shtatë faqe. Ja, mbi të do ta skalit mbishkrimin, kumton ZOTI i ushtrive, e do ta heq brenda ditës fajin e kësaj toke. Atë ditë, kumton ZOTI i ushtrive, do ta ftoni njëri-tjetrin nën hijen e hardhisë e të fikut”».
Lexo Zakaria 3
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zakaria 3:1-10
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video