Tobia 1
1
Titulli
1Libri i veprave të Tobitit, birit të Tobielit, të birit të Ananielit, të birit të Aduelit, të birit të Gabaelit, të birit të Rafaelit, nga fara e Asielit, prej fisit të Neftaliut. 2Në ditët e Salmanasarit, mbretit të asirianëve, u dëbua nga Tishbeja, në jug të Kadeshit të Neftaliut, në Galilenë e Epërme, sipër Asherit, në drejtim të perëndimit, në veri të Fogorit.
Kujtimet e Tobitit
3Unë, Tobiti, kam ecur udhëve të së vërtetës dhe të drejtësisë gjatë të gjitha ditëve të jetës sime. I kam ndihmuar shumë vëllezërit e mi dhe kombin tim, që kishin shkuar në robëri me mua në dheun e asirianëve, në Ninivë. 4Kur isha në vendin tim, në Izrael, dhe isha i ri, tërë fisi i Neftaliut, atit tim, u nda nga shtëpia e Davidit, atit tim, dhe nga Jerusalemi, qyteti i zgjedhur nga të gjitha fiset e Izraelit, ku do të kushtonin fli mbarë fiset e Izraelit. Atje ishte shenjtëruar tempulli, ku banonte Perëndia, dhe atje ishte ndërtuar për të gjitha breznitë përgjithmonë. 5Të gjithë vëllezërit e mi e mbarë shtëpia e Neftaliut, atit tim, i kushtonin fli viçit që kishte bërë Jeroboami, mbreti i Izraelit në Dan, në të gjitha malet e Galilesë. 6Unë shkoja shpesh i vetëm në Jerusalem për festa, sipas urdhrit të shkruar për tërë Izraelin përgjithmonë. Të lashtat, të parëlindurit e bagëtive, të dhjetat e kafshëve dhe leshin e parë të deleve e çoja me nxitim në Jerusalem. 7Ua jepja priftërinjve, bijve të Aronit, për altarin. Të dhjetën e grurit, të verës, të vajit, të shegëve, të fiqve dhe të frutave të tjera ua jepja të bijve të Levit që shërbenin në Jerusalem. Të dhjetën e dytë e ktheva në para për gjashtë vjet dhe i shpërndaja në Jerusalem çdo vit. 8Jetimëve, të vejave e të huajve që ishin bashkuar me bijtë e Izraelit, u jepja të dhjetën çdo vit të tretë dhe e hanim sipas urdhëresës së caktuar për to në ligjin e Moisiut dhe sipas porosive që më kishte dhënë Debora, e ëma e Ananielit, atit tim, se im atë kishte vdekur e më kishte lënë jetim. 9Kur u bëra burrë, mora grua nga fisi im dhe prej saj më lindi një djalë, të cilit ia vura emrin Tobi. 10Më vonë më zunë rob ndër asirianë e më dëbuan në Ninivë. Të gjithë vëllezërit e mi dhe farefisi im hanin ushqimin e kombeve, 11por unë u përmbajta dhe nuk e hëngra ushqimin e kombeve. 12E kujtoja Perëndinë tim me gjithë shpirt, 13prandaj i Tejlarti më dha hir e hijeshi përpara Salmanasarit dhe unë i blija gjithçka i nevojitej. 14Shkoja deri në Medë për të blerë, para se ai të vdiste. Në vendin e Medës, i besova treqind kilogramë argjend, në thasë, Gabaelit, vëllait të Gabrit.
15Kur vdiq Salmansari dhe në vend të tij mbretëroi Sankeribi, i biri, rrugët për në Medë u bënë të pasigurta dhe nuk pata mundësi të shkoja më në Medë. 16Në ditët e Salmanasarit u dhashë shumë lëmoshë vëllezërve të mi që ishin prej fisit tim. 17Të uriturve u dhashë bukët e mia dhe të zhveshurve petkat. Kur shihja ndonjë bashkëkombës timin, që kishte vdekur dhe e kishin hedhur jashtë mureve të Ninivës, e varrosja. 18Varrosa edhe ata që vrau Sankeribi, kur erdhi pasi iku nga Judeja, në ditët kur mbreti i qiellit kreu mbi të gjykimin për shkak të blasfemive. Shumë prej bijve të Izraelit i vrau nga zemërimi, por unë i vodha trupat e i varrosa. Sankeribi i kërkoi, por nuk i gjeti. 19Atëherë dikush nga ninivitët shkoi dhe i tregoi mbretit se i varrosja unë të vrarët, prandaj unë u fsheha. Kur mora vesh se mbreti kishte dijeni për mua dhe se po më kërkonte për të më vrarë, pata frikë dhe ika. 20Më grabiti tërë pasurinë e nuk më la asgjë, veçse Anën, gruan time, dhe Tobinë, tim bir.
21Pa kaluar as dyzet ditë, mbretin e vranë dy bijtë e tij, të cilët u arratisën në malet e Araratit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asahardoni. Ky vuri kujdestar Ahiharin, të birin e Anaelit, vëllait tim, dhe i dha pushtet mbi mbarë mbretërinë. 22Ahihari ndërmjetësoi për mua dhe unë u ktheva në Ninivë. Ahihari kishte qenë kupëmbajtësi, vulëmbajtësi dhe kujdestari i Sankeribit, mbretit të asirianëve. Kjo ishte hera e dytë që Asahardoni i jepte këtë përgjegjësi. Ahiharin e kisha të afërm, se e kisha nip.
Aktualisht i përzgjedhur:
Tobia 1: AL1
Thekso
Kopjo
Krahaso
Ndaje
A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr
© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2020
© Interconfessional Bible Society of Albania 2020