Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Titit 1:1-16

Titit 1:1-16 AL1

Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t'u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë e për t'u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë, që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m'u besua sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë. Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët: hiri dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, shpëtimtari ynë, qofshin me ty! Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara e të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova. Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t'i ketë fëmijët besimtarë që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje. Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo përbuzës, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme. Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë e i matur. Ai duhet t'i qëndrojë besnik fjalës së besueshme të mësimit që mori, që të jetë i aftë të këshillojë të tjerët me mësimin e shëndoshë e të bindë ata që e kundërshtojnë. Në të vërtetë ka shumë të pabindur, dërdëllitës e mashtrues, veçanërisht mes besimtarëve të rrethprerë. Atyre u duhet mbyllur goja, sepse për të përfituar në mënyrë të pandershme po shkatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar njerëzve gjëra që nuk duhen. Njëri nga ata, njëri nga profetët e tyre, ka thënë: «Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, shtazarakë të ligj dhe grykës përtacë». Kjo dëshmi është e vërtetë. Prandaj qortoji rreptë që të jenë të shëndetshëm në besim, pa përfillur përrallat e judenjve dhe urdhërimet e njerëzve që shtrembërojnë të vërtetën. Të gjitha gjërat janë të pastra për të pastrit, por për të ndoturit e të pafetë asgjë nuk është e pastër. Atyre u është ndotur edhe mendja, edhe ndërgjegjja. Pohojnë se e njohin Perëndinë, por me veprat e tyre e mohojnë duke qenë të neveritshëm, të pabindur e të paaftë për ndonjë vepër të mirë.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë