Ju përbehem, o bijat e Jerusalemit,
pash sorkadhet a sutat e fushës:
mos e zgjoni, mos e ngucni dashurinë
deri kur t'ia ketë ënda.
Një zë! I shtrenjti im!
Ja, po vjen, duke u hedhur nëpër male,
duke u tundur nëpër kodra.
Ngjan si kaproll, i shtrenjti im,
ose porsi zog drenushe.
Ja, rri prapa murit tonë,
nga dritarja ai përgjon,
përmes hekurash vështron.
Flet i shtrenjti im e më thotë:
«Ngrihu, mikja ime, bukuroshja ime, e eja!
Se, ja, dimri iku e vate,
pushoi shiu e kaloi,
çelën lulet nëpër ara,
erdhi koha për të harrur
e nëpër korijet tona
zëri i turtullit dëgjohet.
Fiku i poqi kokrrat e para,
çeli hardhia e po erëmon:
ngrihu e eja, mikja ime,
bukuroshja ime, eja!
Oh, pëllumbesha ime,
që nëpër plasa shkrepash fshihesh
e nëpër strofkat e rrëpirës,
shfaqma mua pamjen tënde,
jepma tingullin e zërit tënd,
se zëri yt i ëmbël është
e joshëse është pamja jote.
Na i zini neve dhelprat,
na i zini dhelpërushët,
që vreshtat po batërdisin,
vreshtat tona luleçelur».
Imi është i shtrenjti im,
edhe unë jam e atij,
që kullot përmes lilakëve.
Pa pushuar era e ditës
e para se të zhduken hijet,
kthehu, o i shtrenjti im,
si kaproll, si zog drenushe,
në bjeshkët erëmira.