Naomi, e vjehrra, i tha Rutës: «Bija ime, do të kërkoj për ty një shtëpi të qetë ku të jesh e lumtur. Boazi, me shërbëtoret e të cilit mblodhe kallinj, është i afërmi ynë. Ja, sonte ai do të shijë elbin në lëmë. Lahu, lyhu me erë të mirë, hidh mbulojën dhe shko te lëmi, por mos e lër të të shohë derisa të ketë mbaruar së ngrëni e së piri. Kur të shtrihet, shiko vendin ku fle dhe pastaj shko, zbulo këmbët e tij dhe shtrihu aty. Do të të thotë ai se çfarë duhet të bësh». Ruta iu përgjigj: «Do të bëj gjithçka që më the». Pastaj shkoi në lëmë dhe bëri siç e kishte porositur e vjehrra.
Boazi hëngri e piu sa iu kënaq zemra dhe shkoi të shtrihet pranë pirgut të elbit. Fshehurazi shkoi edhe Ruta, ia zbuloi këmbët dhe u shtri. Aty nga mesi i natës, Boazi u drodh në gjumë dhe, kur u kthye në krahun tjetër, pa një grua të shtrirë te këmbët e tij. Ai e pyeti: «Kush je ti?». Ajo iu përgjigj: «Jam unë, Ruta, shërbëtorja jote. Shtrije mbulesën mbi shërbëtoren tënde, sepse ti ke të drejtën të kujdesesh për mua». Atëherë Boazi i tha: «Të bekoftë ZOTI, bija ime, sepse tani ke treguar mirësi edhe më të madhe se më parë, duke mos shkuar pas djemve të rinj, të varfër a të pasur. Prandaj, mos ki frikë, bija ime. Do t'i bëj të gjitha ato që thua, sepse të gjithë njerëzit e qytetit tim e dinë se ti je një grua e virtytshme.