Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 11:22-36

Romakëve 11:22-36 AL1

Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti. Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t'i shartuar përsëri. Nëse ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet! O vëllezër, që të mos mbaheni për të mençur, dua t'ju bëj të njohur këtë shestim të fshehtë të Perëndisë: një pjesë e Izraelit do të vazhdojë në kokëfortësinë e vet, derisa të gjitha kombet e tjera të hyjnë në shpëtimin e Perëndisë. Dhe kështu i gjithë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: çlirimtari do të vijë nga Sioni; dhe do ta zhdukë mosbesimin nga Jakobi. Kjo është besëlidhja ime me ta, kur t'i fshij mëkatet e tyre. Meqenëse ata e kundërshtuan ungjillin, u bënë armiq të Perëndisë dhe kjo për të mirën tuaj, ndërsa, duke u zgjedhur nga Perëndia, janë të dashur për shkak të etërve. Thirrja dhe dhuratat e Perëndisë janë të pakthyeshme. Ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, por tani keni marrë mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre. Po ashtu edhe këta tani nuk i binden Perëndisë, që për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të gjejnë edhe ata mëshirë. Perëndia i kyçi të gjithë në mosbindje, që të tregonte mëshirë për të gjithë. O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e njohjes së Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij! Po kush e njohu mendjen e Zotit? Apo kush u bë këshilltar i tij? Kush i ka dhënë ndonjëherë ndonjë gjë Perëndisë, që të kërkojë shpërblim prej tij? Sepse prej tij, përmes tij e për të janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia në amshim! Amen!