Ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër, adhuruan dhe i shërbyen krijesës në vend të krijuesit që është i bekuar përjetë. Amen!
Prandaj Perëndia i dorëzoi ata në epshe të turpshme. Gratë e tyre i shndërruan marrëdhëniet e natyrshme në marrëdhënie kundër natyrës. Po ashtu edhe burrat, duke lënë marrëdhëniet e natyrshme me gratë, u ndezën në epshin e tyre për njëri-tjetrin. Burra kryen vepra të pahijshme me burra, duke marrë mbi vete shpagimin e duhur për fajin e tyre.
Meqenëse ata nuk pranuan ta njihnin Perëndinë, ai i dorëzoi në një mendje të çoroditur për të bërë gjëra që nuk duhen bërë. Ata janë plot me padrejtësi, keqdashje, lakmi, ligësi, plot smirë, vrasje, grindje, dredhi dhe poshtërsi. Ata janë përgojues, shpifës, armiq të Perëndisë, të pacipë, fodullë, mburravecë, trillues ligësish, të pabindur ndaj prindërve, të pamend, të pabesë, pa dashuri e të pamëshirshëm. Ata e njohin urdhërimin e Perëndisë që thotë se kush bën gjëra të tilla, meriton të vdesë. Megjithatë, ata jo vetëm i bëjnë këto, por edhe miratojnë të tjerët që i bëjnë.