Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 19:11-21

Zbulesa 19:11-21 AL1

Pastaj pashë qiellin të hapur dhe një kalë të bardhë. Kalorësi quhej «Besimtar dhe i Vërtetë». Ai gjykon e lufton me drejtësi. Sytë e tij ishin si flakë zjarri, ndërsa mbi kokë mbante shumë kurora të vogla. Ai kishte të shkruar një emër që nuk e dinte askush përveç tij. Ishte i veshur me rroba të ngjyera në gjak dhe mbante emrin «Fjala e Perëndisë». Pas tij vinin ushtritë e qiellit, hipur mbi kuaj të bardhë dhe veshur me rroba të ndritshme prej liri të pastër. Nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me të cilën do të mposhtë kombet. Ai do t'i sundojë me skeptër të hekurt dhe do ta shtrydhë rrushin në vozën e verës së zemërimit të tmerrshëm të Perëndisë së gjithëpushtetshëm. Mbi rrobë dhe mbi kofshë kishte të shkruar emrin «Mbreti i mbretërve dhe Zoti i zotërve». Pastaj pashë një engjëll që qëndronte në diell. Ai u foli me zë të fortë të gjithë shpendëve që fluturonin në mes të qiellit: «Ejani e mblidhuni në darkën e madhe të Perëndisë, që të hani mish mbretërish, prijësish ushtarakë e të fortësh, mish kuajsh e kalorësish, mishin e të gjithë njerëzve, të lirë e skllevër, të vegjël e të mëdhenj». Atëherë pashë bishën dhe mbretërit e tokës me ushtritë e tyre që ishin mbledhur për të luftuar kundër atij që rrinte mbi kalë dhe ushtrisë së tij. Bisha u kap dhe bashkë me të edhe profeti i rremë që në prani të saj bënte shenja, me të cilat mashtronte ata që kishin marrë damkën e bishës dhe që kishin adhuruar shëmbëlltyrën e saj. Pastaj, që të dy u hodhën të gjallë në liqenin e zjarrtë që digjet me squfur. Të tjerët u vranë nga shpata që dilte nga goja e kalorësit dhe të gjithë shpendët u ngopën me mishin e tyre.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë