Pastaj pashë një engjëll tjetër, që fluturonte në mes të qiellit dhe që kishte një ungjill të amshuar për t'u shpallur banorëve të tokës nga çdo komb, fis, gjuhë e popull. Ai tha me zë të lartë: «Druajeni Perëndinë dhe jepini lavdi, se erdhi ora e gjykimit të tij. Adhurojeni atë që bëri qiellin e tokën, detin dhe burimet e ujërave!». Një engjëll tjetër erdhi pas të parit e tha: «Ra, ra Babilonia e madhe, ajo që dehu gjithë kombet me verën e zemërimit të kurvërisë së saj». Një engjëll i tretë erdhi pas tyre e tha me zë të lartë: «Kush adhuron bishën dhe shëmbëlltyrën e saj dhe merr damkën në ballë e në dorë, do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë, që është e papërzier në kupën e zemërimit të tij. Ai do të mundohet me zjarr e squfur para engjëjve të shenjtë dhe para Qengjit. Tymi i mundimit të tyre do të ngrihet në shekuj të shekujve dhe ata që adhurojnë bishën e shëmbëlltyrën e saj dhe kanë marrë damkën e emrit të saj, nuk do të gjejnë prehje as ditën, as natën. Këtu do të duket durimi i të shenjtëve, i atyre që zbatojnë urdhërimet e Perëndisë dhe ruajnë besimin e Jezuit». Atëherë dëgjova një zë nga qielli që më tha: «Shkruaj: lum ata që do të vdesin të bashkuar me Zotin që tani e tutje». «Po, thotë Shpirti. Ata do të prehen nga mundimet, sepse veprat e tyre do t'i shoqërojnë pas». Pastaj pashë një re të bardhë, mbi të cilën ishte ulur dikush që ngjante si bir njeriu. Në kokë kishte një kurorë të artë, ndërsa në dorë një drapër të mprehtë. Nga tempulli doli një engjëll tjetër që i thirri me zë të lartë atij që rrinte ulur mbi re: «Merre draprin e korr, se erdhi koha e korrjes dhe të korrat e tokës janë pjekur». Atëherë ai që rrinte ulur mbi fron e hodhi draprin në tokë dhe toka u korr. Nga tempulli që ishte në qiell doli edhe një engjëll tjetër. Edhe ai mbante një drapër të mprehtë. Një engjëll tjetër doli nga altari. Ai kishte pushtet mbi zjarrin dhe i thirri me zë të lartë atij që kishte draprin e mprehtë: «Merre draprin tënd të mprehtë dhe vil bistakët e vreshtit të tokës, se u poq rrushi». Engjëlli e hodhi draprin në tokë, voli vreshtin e tokës dhe rrushin e hodhi në vozën e madhe të zemërimit të Perëndisë. Rrushi i vozës u shtrydh jashtë qytetit dhe prej saj doli gjak që arrinte deri te frerët e kuajve dhe u përhap deri rreth treqind kilometra larg.
Lexo Zbulesa 14
Dëgjoj Zbulesa 14
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zbulesa 14:6-20
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video