Kur të kenë mbaruar së dëshmuari, bisha që ngjitet prej humnerës do të bëjë luftë me ta, do t'i mundë e do t'i vrasë. Kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili në mënyrë simbolike quhet Sodomë dhe Egjipt, qyteti ku u kryqëzua Zoti i tyre.
Njerëzit nga të gjithë popujt, fiset, gjuhët e kombet do t'i shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë dhe nuk do të lejojnë t'i varrosin. Banorët e tokës do të gëzohen për ta, do të festojnë e do t'i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit, sepse dy profetët i kishin munduar. Por, pas tri ditë e gjysmë shpirti i jetës erdhi nga Perëndia dhe hyri tek ata. Dy dëshmitarët u ngritën në këmbë dhe ata që i shikonin i zuri një frikë e madhe.
Atëherë dëgjuan një zë të fortë nga qielli që u tha: “Ngjituni këtu lart!”. Ata u ngjitën në qiell mbi një re dhe armiqtë e tyre i panë. Në atë çast ra një tërmet i madh dhe u shkatërrua një e dhjeta e qytetit. Nga tërmeti u vranë shtatë mijë njerëz, ndërsa të tjerëve u hyri frika dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit».
Mjerimi i dytë shkoi. Ja ku po vjen me shpejtësi mjerimi i tretë.
I ra trumbetës engjëlli i shtatë. Atëherë në qiell u dëgjuan zëra të lartë që thoshin:
«Mbretërimi i botës i përket Zotit tonë
dhe Krishtit të tij,
ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve».
Njëzet e katër pleqtë që qëndronin të ulur nëpër frone para Perëndisë, ranë me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë kështu:
«Të falënderojmë, o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm,
që je e që ishe,
sepse e more në dorë fuqinë tënde të madhe
dhe mbretëron.
Kombet u zemëruan,
por ja ku erdhi zemërimi yt!
Erdhi koha për të gjykuar të vdekurit,
për t'u dhënë shpërblimin shërbëtorëve të tu,
profetëve, të shenjtëve, atyre që e druajnë emrin tënd,
të vegjëlve e të mëdhenjve
dhe për të shkatërruar ata që shkatërrojnë tokën».
Pastaj u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe atje u duk arka e besëlidhjes së tij. Atëherë shpërthyen vetëtima, zëra, bubullima, tërmet dhe një breshër i fortë.