Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 86:1-17

Psalmet 86:1-17 AL1

Mba vesh, o ZOT, e më dëgjo, se jam skamnor e nevojtar. Ruaje shpirtin tim, se jam besniku yt, o Perëndia im. Shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti. Mëshiromë, o Zot, se ty të thërras gjithë ditën. Gëzoja shpirtin shërbëtorit tënd, se te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim. Ti je i mirë, o Zot, i gatshëm për të falur e plot mirësi për ata që të thërrasin. Vëri vesh lutjes sime, o ZOT, dëgjoje zërin e përgjërimit tim. Ditën e fatkeqësisë të thërras, sepse ti më përgjigjesh. Nuk ka si ty mes perëndive, o Zot, nuk ka si veprat e tua. Ti i krijove të gjitha kombet, para teje do të vijnë e do të përkulen dhe emrin tënd do të lavdërojnë, o Zot. Ti je i madh e bën mrekulli, vetëm ti je Perëndi. Mësomë, o ZOT, udhën tënde, që të eci në të vërtetën tënde, më bëj ta druaj emrin tënd me gjithë zemër. Do të të falënderoj me gjithë zemër, o Zot, Perëndia im, dhe emrin tënd do ta lavdëroj përjetë. E madhe është mirësia jote ndaj meje, nga thellësitë e skëterrës më shpëtove. O Perëndi, kryeneçët u ngritën kundër meje, turma gjakatarësh kërkojnë vdekjen time e ty nuk të kanë për gjë. Por ti, o Zot, je Perëndi i dhembshur e i mëshirshëm, i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri. Kthehu nga unë e ki mëshirë për mua, jepi fuqi shërbëtorit tënd, birin e shërbëtores sate shpëtoje. Dëfto një shenjë mirësie ndaj meje, që ta shohin ata që më urrejnë e të turpërohen, se ti, o ZOT, më ndihmove e më ngushëllove.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë