Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 80:1-19

Psalmet 80:1-19 AL1

Ti, o bari i Izraelit, mba vesh, ti që si grigjës i prin Jozefit, ti që ulesh mbi kerubët, shkëlqe. Para Efraimit, Benjaminit e Manaseut ngrije peshë fuqinë tënde e eja të na ndihmosh. O Perëndi, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë. O ZOT, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar ndaj lutjes së popullit tënd? I ke ushqyer me bukë lotësh, u ke dhënë të pinë kaq shumë lot. Na ke bërë të jemi shkak grindjesh për fqinjët, armiqtë tanë tallen me ne. O Perëndi i ushtrive, na kthe sërish, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë, që të shpëtojmë. Një hardhi prej Egjiptit shkule, dëbove kombe dhe e mbolle. Tokën për të gati e bëre, rrënjë hodhi e dheun mbushi. Hija e saj mbuloi malet, degët e saj cedrat e Perëndisë. Filizat e saj i shtriu deri në det, pinjollët e saj deri në lumë. Gardhin përse ia shthure, që të vjelë prej saj çdo kalimtar? E shkretoi derri i egër, aty kullotin egërsirat e fushës. Kthehu, o Perëndi i ushtrive, hidh sytë prej qiellit, vështroje e kujdesu për këtë hardhi, për atë që mbolli dora jote e djathtë, për pinjollin, që e rrite të fortë për veten tënde. E kanë djegur me zjarr, e kanë prerë; marrshin fund prej kërcënimit të fytyrës sate. Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtës sate, mbi birin e njeriut, që e rrite të fortë për veten. E ne nuk do të largohemi më prej teje, jepna jetë, që të thërrasim emrin tënd.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë