Sa herë iu ngritën kundër në shkretëtirë!
Sa herë e hidhëruan në vend të shkretë!
Ktheheshin dhe prapë e tundonin Perëndinë,
e trishtonin të shenjtin e Izraelit.
Nuk u kujtohej më dora e tij e fuqishme,
dita kur i çliroi prej armikut:
shenjat, që kishte bërë në Egjipt,
veprat e mrekullueshme në fushën e Coanit.
Lumenjtë e armikut i kishte kthyer në gjak,
edhe rrjedhat e ujit, që të mos pinin më.
U dërgoi mori grethash, që t'i thumbonin,
bretkosa, që t'i shkatërronin.
Të korrat e tyre ua dha krimbave,
karkalecave mundin e tyre.
Vreshtat ua rrënoi me breshër,
pemët e fikut me brymë.
Me breshër ua goditi edhe bagëtinë,
me rrufe, gjënë e gjallë.
Dërgoi mbi ta flakën e zemërimit të tij,
furinë, mërinë e fatkeqësinë;
u dërgoi engjëj të këqij.
I hapi udhë zemërimit të tij,
jetën prej vdekjes nuk ua kurseu,
por i la në dorë të murtajës.
Shfarosi çdo të parëlindur në Egjipt,
frytin e parë të fuqisë së tyre në tendat e Kamit.
Si dhentë e ngriti prej andej popullin e tij,
u priu në shkretëtirë porsi grigjës.
I udhëhoqi me kujdes e frikë nuk patën,
armiqtë e tyre i mbuloi deti.
I çoi në vendin e tij të shenjtë,
në malin, që kishte fituar e djathta e tij.
Dëboi kombe para tyre
e tokën ua ndau me short për trashëgim.
Fiset e Izraelit i vuri të banojnë
nëpër tendat e tyre.
Por ata e tunduan përsëri,
ngritën krye kundër Perëndisë, të Tejlartit,
e dëshmitë e tij nuk i mbajtën.
U shmangën e, si etërit e tyre, të pabesë u treguan,
si harku i shtrembër, ata dredhuan.
Me faltoret në vende të larta e bënë të zemërohet,
me idhujt e gdhendur ia ndezën furinë.
E dëgjoi Perëndia e flakë u ndez,
rëndë e përçmoi Izraelin.
E braktisi tendën e Shilohut,
banesën, që kishte ngritur mes njerëzve.
Forcën e tij e la të bjerë në robëri,
lavdinë e tij në duart e armikut.
Popullin e tij ia dorëzoi shpatës,
kundër trashëgimisë së vet flakë u ndez.
Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri,
vashave nuk u kënduan.
Priftërinjtë e tyre ranë prej shpatës,
vejushat nuk i vajtuan.
E u ngrit Zoti, si prej gjumit,
si luftëtari trim, kur e kap vera.
Pas shpine u ra armiqve,
me turp të përjetshëm i mbuloi.
Poshtë e hodhi tendën e Jozefit,
fisin e Efraimit nuk e zgjodhi.
Zgjodhi fisin e Judës,
malin e Sionit, që fort e deshi.
Të lartë shumë e ndërtoi shenjtëroren,
ashtu si tokën, e themeloi në amshim.
E zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij,
prej tufave të dhenve e mori.
E mori prej deleve që mëndnin,
për të kullotur Jakobin, popullin e tij,
dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
Me zemër të pastër i udhëhoqi,
me duar të afta u priu.