Sa i mirë është Perëndia për Izraelin,
për ata që e kanë zemrën të pastër!
E mua gati m'u morën këmbët,
për pak m'u ngatërruan hapat.
Lakmi i pata mburravecët,
kur pashë mirëqenien e të paudhëve.
Nuk kanë dhimbje deri në vdekje,
barkun e kanë tërë dhjamë.
Nuk vuajnë si vdekatarët e tjerë,
nuk mundohen si njerëzit e tjerë.
Krenaria stolis qafat e tyre,
dhuna i mbulon si petk.
U pëlcasin sytë prej dhjamit,
prej zemrave u burojnë dëshirime.
Përqeshin e flasin me ligësi,
nga lart kërcënojnë me shtypje.
E hapin gojën edhe kundër qiellit,
gjuha e tyre përshkon tokën.
Prandaj populli im kthehet drejt tyre
dhe pinë prej ujërave të tyre të shumtë.
«E si e ditka Perëndia», thonë,
«Nga e marrka vesh i Tejlarti?».
Ja, këta janë të paudhët!
Përherë të qetë, por grumbullojnë pasuri.
Më kot e kam mbajtur zemrën të pastër,
më kot i kam larë duart në pafajësi!
Tërë ditën kam pësuar fshikullima
e jam munduar deri në mëngjes.
Po të kisha thënë: «Do të flas si ata»,
do të kisha tradhtuar brezninë e bijve të tu.
U përpoqa ta kuptoj këtë,
por m'u errën sytë.
Vetëm kur hyra në shenjtëroren e Perëndisë,
vetëm atëherë e kuptova fundin e tyre.
Ja, i ke vendosur në vend të rrëshqitshëm,
i plandose në rrënim.
Si u shkatërruan kështu përnjëherë!
U sosën e morën fund me tmerr!
Si ëndrrën e atij që zgjohet, o Zot,
ashtu do ta përçmosh në agim pamjen e tyre.
Kur më hidhërohej zemra,
e veshkat më thernin,
isha i marrë e nuk kuptoja,
para teje isha si kafshë.
Por ja, unë jam gjithmonë me ty,
ti më mban dorën e djathtë.
Ti më udhëheq me këshillat e tua,
e pastaj do të më marrësh me lavdi.
Kë tjetër kam unë në qiell?
Veç teje, mbi tokë, s'dua tjetër.
Më janë ligështuar trupi e zemra,
por shkëmbi i zemrës sime dhe trashëgimia ime
është Perëndia në amshim.
Ja, ata që janë larg teje do të shfarosen,
ti i zhbin të gjithë ata që të tradhtojnë.
Por për mua është mirë të qëndroj pranë Perëndisë,
të kërkoj strehë te ZOTI, Zoti im,
për t'i shpallur të gjitha veprat e tij.