Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 55

55
1Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Himn i Davidit.
2Vëri vesh lutjes sime, o Perëndi,
përgjërimit tim mos iu fshih.
3Dëgjomë e m'u përgjigj.
Përpëlitem i hidhëruar e gulçoj,
4prej britmës së armikut,
prej shtypjes së të paudhit.
Kanë sjellë fatkeqësi mbi mua,
tërë zemërim më sulmojnë.
5Zemra më dridhet përbrenda,
tmerret e vdekjes më kanë pushtuar.
6Frika e tmerri më kanë kapur,
ngjethem i tëri.
7E thashë: «Kush do të më japë krahë si të pëllumbit,
që të fluturoj larg e të gjej prehje?
8Ja, larg do të degdisesha,
në shkretëtirë do të banoja. selah
9Do të gjeja shpejt një vend strehimi,
nga era e furishme e nga stuhia».
10Pështjelloji, o Zot, dhe përçaji gjuhët e tyre,
se shoh dhunë e grindje në qytet.
11Ditë e natë qerthullojnë mbi muret e tij,
brenda tij ka paudhësi e mjerim.
12E ka pushtuar dinakëria,
dhuna e mashtrimi nuk kanë të sosur udhëve të tij.
13Po të më poshtëronte armiku,
do të duroja,
po të ngrihej kundër meje ai që më urren,
do t'i fshihesha.
14Por je ti, njeriu i sërës sime,
miku e i njohuri im.
15Bashkë kuvendonim ëmbël,
tok shkonim në tempullin e Perëndisë.
16U rëntë papritur vdekja,
zbritshin të gjallë në skëterrë,
se mes tyre dhe në banesat e tyre,
ka bërë vend e keqja.
17Por unë do t'i thërras Perëndisë
e Zoti do të më shpëtojë.
18Në mbrëmje, në mëngjes e në mesditë do të ofshaj,
do të rënkoj e ai do të ma dëgjojë zërin.
19Do të ma shpengojë shpirtin
e do të më japë prehje prej atyre që më sulmojnë,
se të shumtë janë kundërshtarët e mi.
20Perëndia do të dëgjojë e do t'i poshtërojë,
ai që rri mbi fron qëmoti. selah
Se për ta nuk ka kthim,
Perëndinë nuk e druajnë.
21Ngrenë dorë kundër miqve të vet,
besën e dhënë e shkelin.
22Gojën e kishin më të butë se gjalpin,
por në zemër fshihnin luftë,
fjalët e tyre dukeshin më të lëmuara se vaji,
por vringëllonin si shpata.
23Lërja barrën tënde Zotit
e ai do të të përkrahë,
se ai nuk do të lejojë asnjëherë,
që të tronditet i drejti.
24Por ti, o Perëndi,
do t'i plandosësh në gropë të thellë.
Gjakatarë e mashtrues janë
e s'do të arrijnë as gjysmën e ditëve.
Ndërsa unë do të kem besim te ti.

Aktualisht i përzgjedhur:

Psalmet 55: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr