Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 45:1-17

Psalmet 45:1-17 AL1

Fjalë të mira më burojnë nga zemra, mbretit këngën time ia kushtoj, gjuha ime si pendë bukurshkruesi. Ti je më i bukuri ndër bijtë e njerëzve, nga buzët e tua rrjedh hijeshi, ndaj dhe Perëndia të ka bekuar në amshim. Ngjishe shpatën në ijë, o trim, për shkëlqimin dhe madhështinë tënde. Ec përpara me madhështi, për çështjen e së vërtetës kalëro, për butësinë e për drejtësinë. E djathta jote të dëfteftë mrekullira. Shigjetat e tua janë të mprehta për zemrat e armiqve të mbretit. Nën ty popuj do të bien. Froni yt, o Perëndi, mbetet përjetë, skeptri yt mbretëror, skeptër drejtësie. Ti e do drejtësinë, por urren paudhësinë. Perëndia të vajosi, Perëndia yt, me vaj ngazëllimi, si askënd nga shokët e tu. Petkat e tua mirrë, aloe e kasie kundërmojnë, nga pallatet e tua të fildishta tinguj harpash të gëzojnë. Bija mbretërish ka në shpurën tënde, një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron, stolisur me ar Ofiri. Dëgjo, o bijë! Shiko e mba vesh! Harroje popullin tënd e shtëpinë e atit tënd! Mbretit do t'i pëlqejë bukuria jote, ai do të jetë zotëria yt dhe para tij do të përkulesh. Bija e Tirit do të vijë me dhurata, të pasurit e popullit do të kërkojnë pëlqimin tënd. Brenda është bija e mbretit, tërë lavdi, rrobat e saj me ar qëndisur. Me rroba tërë qëndisma ia sjellin mbretit e pas i vjen shpura e virgjëreshave, shoqet, që para teje i paraqesin. I sjellin me gëzim e me hare, i çojnë në pallatin e mbretit. Pas etërve do të vijnë bijtë e tu, princa do t'i bësh në mbarë tokën.