Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Psalmet 40:1-17

Psalmet 40:1-17 AL1

Me durim e prita ZOTIN, ai u përkul drejt meje e përgjërimin ma dëgjoi. Prej gropës së mundimit më nxori, prej batakut të baltës, këmbët m'i vuri mbi shkëmb e hapat m'i forcoi. Një këngë të re më vuri në gojë, një himn për Perëndinë tonë. Shumë do ta shohin e do të dridhen dhe në ZOTIN do të besojnë. Lum njeriu që ka besim te ZOTI, që nuk kthehet drejt atyre që mburren e drejt atyre që jepen pas gënjeshtrës. Të shumta janë veprat e tua të mrekullueshme, o ZOT, Perëndia im, të shumta shestimet e tua për ne. Nuk ka të ngjashëm me ty! Do t'i shpallja e do t'i tregoja, por janë të panumërueshme. Ti nuk dëshiron fli e kushtime, për këtë m'i ke hapur mirë veshët, nuk kërkove as fli shkrumbimi a mëkati. Atëherë thashë: «Ja tek kam ardhur. Në rrotullën e librit është shkruar për mua. Të kryej vullnetin tënd, o Perëndia im, dëshiroj, ligji yt është brenda qenies sime». Drejtësinë tënde shpalla në kuvendin e madh, ja, buzët nuk i mbylla dhe ti, o ZOT, e di. Drejtësinë tënde nuk e fsheha brenda zemrës sime, për besnikërinë e për shpëtimin tënd fola, mirësinë tënde nuk e mbajta fshehur, e as besnikërinë tënde në kuvendin e madh. E ti, o ZOT, mos m'i moho përdëllimet e tua, mirësia dhe besnikëria jote më mbrojtshin përherë. Të këqija të panumërta më kanë rrethuar, paudhësitë më kanë vënë poshtë e nuk më lënë të shoh. Janë bërë më të shumta se flokët e kokës e zemra po më lëshon. Denjo, o ZOT, të më shpëtosh! Shpejto, o ZOT, të më ndihmosh! U turpërofshin e u çnderofshin të gjithë ata që jetën duan të ma marrin, u zmbrapsshin e u poshtërofshin ata që më duan të keqen. U tmerrofshin të turpëruar ata që për mua thonë: «Mirë t'i bëhet!». Të gjithë ata që të kërkojnë gëzofshin e ngazëllefshin me ty, ata që duan shpëtimin prej teje thënçin përherë: «I madh është ZOTI!».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë